E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për Prokurorinë, sot debat tek Komisioni i Ligjeve

Komisioni parlamentar i Ligjeve pritet të mblidhet sot për të diskutuar ligjin e debatueshëm, atë të Prokurorisë së Përgjithshme. Drafti i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë nxiti debate të fuqishme politike mes së djathtës dhe së majtës, por edhe mes grupeve të interesit. Shqetësim për Shoqatën e Prokurorëve janë dy nene të draftit ekzistues, neni 17 dhe 28 

TIRANE-Komisioni parlamentar i Ligjeve pritet të mblidhet sot për të diskutuar ligjin e debatueshëm, atë të Prokurorisë së Përgjithshme. Të mërkurën pasdite ky komision nuk arriti të zhvillonte seancën e tij të përcaktuar në axhendë për të njëjtën çështje, pasi mungonin deputetë të maxhorancës dhe të opozitës, duke mos arritur dot kuorumin e duhur. Drafti i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë nxiti debate të fuqishme politike mes së djathtës dhe së majtës, por edhe mes grupeve të interesit. Shoqatat, politika, por edhe ndërkombëtarët, u shprehën kundër kalimit me shpejtësi të këtij ligji dhe diskutimin e tij më të gjitha grupet e interesit, duke përfshirë këtu dhe ekspertët e Prokurorisë. Pas debateve, Alibeaj ngriti një grup pune me përfaqësues të tij dhe të Ina Ramës. Kjo e fundit nuk ka dhënë asnjë koment për kufizimin e imunitetit të kryeprokurorit në Kushtetutë apo për ligjin në fjalë, por ka shprehur se grupet e ekspertëve po punojnë mbi variantet e projektligjit. Shqetësim për Shoqatën e Prokurorëve, e cila drejtohet nga Shkëlqim Hajdari, janë dy nene të draftit ekzistues, neni 17 dhe 28. Në nenin 17 parashikohet shkarkimi i prokurorit, i cili e ankimon kërkesën e tij vetëm në Gjykatën e Apelit. Nëse parashikohet shkarkim i prokurorit, pavarësisht nëse ka argumente ligjore apo jo, prokurori nuk mund të kthehet më në detyrë. Neni 28 i ligjit, raporti për Prokurorinë i bërë nga Ministria e Drejtësisë, e paraqet këtë raport jo vetëm para Presidentit apo kryeprokurorit, por edhe Kuvendit të Shqipërisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›