Ligji për Sigurime Shëndetësore pritet sivjet

Ministria e Shëndetësisë thotë se ndër çështjet prioritare gjatë vitit 2011 do të jetë miratimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore, i cili do të jetë zgjidhje edhe për problemet të tjera në sistemin shëndetësor.
Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në MSH, ka thënë se ministria e ka kryer punën e saj sa i përket këtij ligji dhe tash i mbetet Kuvendit ta miratojë. Sipas tij, miratimi i këtij ligji do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për adresimin dhe rregullimin e shumë çështjeve të cilat konsiderohen si të hapura.
“Si çështje prioritare për Ministrinë e Shëndetësisë shtrohet miratimi në Kuvendin e Kosovës i Ligjit për sigurime shëndetësore, përmirësimi i statutit material të punonjësve shëndetësor, statutit të buxhetit gjithsesi, rritja e kapaciteteve profesionale, si dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve bashkë me hapjen e atyre shërbimeve të cilat gjatë këtij viti mund të themi që kanë qenë deficitare në sektorin publik në shëndetësi”, ka thënë Hoti, për KosovaPress.
Ndër prioritetet e MSH-së për vitin 2011 është edhe rritja e pagave të punonjësve shëndetësorë. Hoti thekson se edhe gjatë vitit 2010 ka pasur një rritje prej 30 për qind, kjo nuk është e mjaftueshme, andaj ministria shpreson se zotimet e dhëna nga nivelet më të larta politike do të bëhen realitet.
“Ministria shpreson që zotimet, të cilat janë dhënë nga nivelet më të larta politike do të bëhen realitet dhe punonjësit shëndetësor të Kosovës përfundimisht do ta kenë pozitën e tyre të merituar në shoqëri”.
Ndërsa, drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, shpreson që të paktën 50 për qind e premtimeve të realizohen.
Ai thotë se do të ishte i kënaqur që nga premtimet të cilat janë dhënë gjatë fushatës zgjedhore, të realizoheshin vetëm 50 për qind e tyre, ndërsa realizimi qind për qind, sipas tij, është e pamundur, duke pas parasysh buxhetin e limituar të Kosovës.