QNR beson se nesër përfundon rinumërimi
Qendra për Numërim dhe Rezultate beson se deri në nesër më datë 4 janar do të përfundojë procesin e rinumërimit të votave, përkatësisht 760 kutive të votimeve, në të cilat janë identifikuar parregullsi gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Deri tani, sipas zyrtarëve të QNR-së, janë rinumëruar 631 kuti të votimit, ndërkaq kanë mbetur edhe 129 kuti për t’u rinumëruar.
Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj ka paraqitur të hënën raportin e procesit të rinumërimit para anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me ç’rast ka thënë se në QNR ka filluar punën më 2 janar, pas vetëm një dite pushim për festën e Vitit të Ri.
Ahmetaj ka thënë se sipas planit operacional nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, do të fillohet sot edhe me futjen e të dhënave nga formularët e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve dhe formularët e rezultateve të cilët manualisht kanë kaluar auditivin.
“Pra nga data 18 dhjetor deri më 2 janar janë rinumëruar, gjithsej 631 vendvotime, ku më datën 2 janar gjithsej janë rinumëruar 58 vendvotime, ndërsa më datën 31 dhjetor, janë rinumëruar 30 vendvotime. Çka do të thotë se nga 760 vendvotime kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 129 vendvotime”, ka thënë Ahmetaj.
Ndërkohë në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Florian Dushi, nuk ka kaluar kërkesa e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për mospërfshirje të përfaqësuesve të OJQ-ve në këshillat e vendvotimit për zgjedhjet e 9 janarit.
Përveç Dushit, i cili edhe e përfaqëson këtë subjekt në KQZ-së, asnjë anëtar tjetër nuk ka votuar pro kësaj kërkese, e cila është konsideruar edhe si shkelje e të drejtës së qytetarëve për të qenë anëtarë të këshillave të votimeve.
“Unë mendoj që nuk ka asgjë të keqe këtu dhe do të ishte në favor të vetë procesit në ditën e zgjedhjeve në shumë drejtime. Njëri prej tyre është që siç është potencuar edhe në kërkesën e LDK-së, se jo rrallë herë kemi pasur raste kur OJQ-të kanë qenë në shërbim të një apo subjekti tjetër politik, pa pasur ndonjë qëllim që të përcaktojë se cilit subjekt konkretisht”, ka thënë Dushi, duke arsyetuar kërkesën e partisë që përfaqëson.
Por po ashtu nuk është mbështetur as kërkesa e Aleancës Kosova e Re, që të mos caktohen anëtarët e AKR-së këshilla të vendvotimeve nga dega e kësaj partie në Deçan, por këtë ta bëjë qendra e partisë në Prishtinë.
Kjo sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Kosovës, është e kundërligjshme dhe krijon precedent për raste të tjera, mirëpo përfaqësuesi i AKR-së, Fadil Maloku ka thënë se është pikërisht ligji ai që nuk po funksionon dhe po i sjellë probleme edhe KQZ-së.
“As gjykata as prokuroria për mendimin tim nuk e kanë kryer punën, apo deri tani mund të thuhet një konstatim i përgjithshëm se gjithë ato vërejtje, gjithë ato sugjerime, gjithë ato deformitete, gjithë ato mangësi që janë shpreh në aktin e votimit në zgjedhjet e vitit të kaluar, askush asnjëherë deri më tash nuk ka dhënë përgjegjësi, dhe kjo është pasojë që ne po thirremi në ligj, a në fakt ligji nuk është duke funksionuar dhe po na sjellë probleme edhe neve si Komision Qendror i Zgjedhjeve”, ka thënë Maloku.
Maloku e ka quajtur të politizuar edhe shoqërinë civile, ndërsa kërkesën e AKR-së për Deçanin, e ka arsyetuar pikërisht me faktin se, sipas tij, kanë hyrë shumë komisionerë në emër të një partie tjetër dhe ‘i kanë shërbyer partisë tjetër’.
Për zgjedhjet e 9 janarit ndërrohet të gjithë komisionerët
Asnjë komisionerë apo vëzhgues që ka punuar në zgjedhjet e 12 dhjetorit, nuk do të punojë në përsëritjen e zgjedhjeve në tri komuna, në Skënderaj, Drenas dhe Deçan dhe në dy qendra të votimit në Shalë të Lipjanit dhe në Drenoc të Malishevës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar të hënën anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve për këto komuna, në të cilat, sipas Sekretariatit të KQZ-së, nuk është i përfshirë asnjë punëtorë që ka punuar më 12 dhjetor.
Kryeshefi ekzekutiv i SKQZ-së, Xhemajl Peçani ka thënë se është bërë verifikimi i nominimeve për anëtarë të Këshillave të Vendvotimeve dhe se lista tani është e pastër.
“Në momentin që kemi marrë nominimet, ne kemi bërë verifikimin tonë me shërbimet përkatëse në bazë të të dhënave të anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që kanë qenë pjesë procesit të këshillave të vendvotimit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe vëzhgues. Nga shërbimi kemi konfirmuar se lista është e pastër dhe asnjë anëtarë nuk gjendet që ka punuar në zgjedhjet e 12 dhjetorit”, ka thënë Peçani.
Anëtarët e KQZ-së kanë paralajmëruar Sekretariatin e KQZ-së që në rast se gjindet ndonjë anëtarë që ka punuar edhe në zgjedhjet e 12 dhjetorit, do të merren masa ligjore si ndaj atyre anëtarëve, po ashtu edhe ndaj organeve të KQZ-së, duke filluar nga Komisioni Komunal Zgjedhor, deri te Sekretariati i KQZ-së. /kosovapress/