Vdes aktivisti i “Vetëvendosjes”, Muhamet Koskoviku
Lëvizja “Vetëvendosje” ka njoftuar se ka vdekur aktivisti i saj, Muhamet Koskoviku, i cili kishte pësuar në një aksident komunikacioni në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, me datën 7 dhjetor.
Që prej asaj dite, Koskoviku ndodhej në gjendje kome në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Aksidenti kishte ndodhur gjatë fushatës zgjedhore, kur tashmë i ndjeri, bashkë me tre aktivistë të tjerë të “Vetëvendosjes” ishte nisur për Vushtrri për të bërë përgatitjet për mbajtjen e një tubimi të lëvizjes atje.
Aktivistët e “Vetëvendosjes” i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve.
“Muhameti ka qenë aktivist i përkushtuar në punë, i dashur me njerëzit dhe i guximshëm në aktivitete. Ai ka kontribuar shumë për Lëvizjen. Kujtimi ynë për të do të mbetet përgjithmonë në zemrat e mendjet tona”, thuhet në një komunikatë shtypi të “Vetëvendosjes”.
Varrimi i Muhametit është bërë sot, në varrezat e Qytetit të Prishtinës në lagjen Arbëria.