E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi e fiton Prishtinën vetëm nëse bëhet anëtar i LDK-së

Nga Express më 03 janar 2011 në ora 16:09

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e sheh zgjidhjen e vetme të situatës që lanë pas zgjedhjet e 12 dhjetorit, të cilat janë vënë në dyshim nga mjaft subjekte politike por edhe nga shoqeria civile, vetëm me anë të rivotimit në të gjithë Kosovën.

Duke folur në një intervistë për Alsat, kreu i LDK-së ka vënë në dukje se nuk ka gjasa për krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm edhe pas rivotimit të pjesshëm më 9 janar.

"Është një marrëveshje mes subjekteve politike për caktimin e datës së ardhshme të zgjedhjeve, në fund të vitit dhe për kostituimin e organeve për të cilat përkohësisht do ta qeverisin Kosovën deri në atë periudhë", tha ai.

Mustafa ka thënë se përgjegjësi kryesor për qeverisjen e keqe është kryeministri i dorëhequr Hashim Thaçi. Ky I fundit, sipas tij, duhet të japë përgjegjësi para qytetarëve pse Kosova mban vendin e parë për korrupsion, për shtet joligjor dhe për vota të vjedhura si në Afganistan.

Kreu i LDK-së i është përgjigjur Thaçit edhe në lidhje me garën për Prishtinën, të cilën sipas Mustafës, Thaçi dhe partia e tij nuk do ta fitojnë kurrë.

“Ai mund ta fitojë Prishtinën vetëm nëse bëhet anëtar i LDK-së. Nëse ai hyn në partinë tonë, atëherë partia jonë do të jetë fituese dhe Hashim Thaçi si anëtar i LDK-së, përndryshe nuk do të ketë asnjë shans”, thotë Mustafa.

Mustafa akuzon PDK për vjedhjen e votave ndërsa shprehet i vendosur t’i shkojë deri në fund betejës për të mos lejuar, siç shprehet ai, që Kosova që qeveriset me vota të vjedhura.

Kreu i LDK-së, vazhdon të këmbëngul në idenë krijimit një qeverie teknike e cila do të dërgonte vendin deri në zgjedhjet e reja parlamentare që, sipas tij, do të duhej të mbaheshin në shtator të vitit të ardhshëm. Përndryshe ai thotë se institucionet nuk do të kenë kurrfarë legjitimiteti nëse ato ndërtohen mbi bazën e votave të manipuluara më 12 dhjetor. /alsat/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›