Ligji për deputetët, gati për lexim të parë

Kryetari i këtij nën-komisioni, Armend Zemaj ka pohuar se kjo është një nismë e re legjislative. Sipas tij, në këtë ligj do të përfshihet edhe pensioni i deputetit.
“Ligji përfshin që nga fitimi i mandatit të deputetit, elementet të cilat është dashtë të konkretizohen në rastin e zgjedhjeve apo kur merret mandati, kur dorëzohet mandati, koha e kaluar, obligimet e deputetit, po ashtu edhe të drejtat e deputetit dhe përgjegjësitë në kuadër të detyrave të cilat i kanë. Këto janë disa elemente po ka edhe çështje të tjera që kanë edhe disa elemente financiare që duhet të rregullohen sepse ju e dini se deputetët e asnjë legjistrature nuk gëzojnë asnjë beneficion të caktuar, si janë pensioni apo diçka tjetër”, ka thënë ai.
Nën-komisioni po përgatitet që këtë Ligj ta dërgojë për lexim të parë brenda tre javësh.
“Ne jemi në finalizim të draftit të parë, duhet të përgatitet edhe deklarata financiare nga Ministria e Financave dhe sigurisht, mendojmë se sapo t’i marrim edhe disa mendime të ekspertëve të cilët i kemi angazhuar dhe ndoshta edhe ndonjë vizitë studimore dhe besojmë se për dy apo tre javë do të jetë i gatshëm”, ka thënë ai.
Ndryshe, amendamente të caktuara të këtij Ligji kanë qenë të kontestuara nga Gjykata Kushtetuese, kohë më parë.