E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Kosova po e forcon subjektivitetin ndërkombëtar

Shefi i ekzekutivit të vendit, Hashim Thaçi, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, të mërkurën ka folur për forcimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke mos harruar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu, ai ka folur edhe vizitën e zyrtarëve të lartë që pritet të vizitojnë këto ditë Kosovën.

Ai në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se Kosova çdo ditë e më shumë po e forcon subjektivitetin e vet ndërkombëtar.

“Dëshiroj të potencoj disa fjalë për pozicionin e Kosovës që po forcohet çdo ditë e më tepër si subjektivitet ndërkombëtar. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë gjithmonë partnerët tanë kryesor. Më gëzon fakti se partnerët tanë gjithmonë i kemi pasur pranë nesh në proceset për liri, pavarësi dhe gjithnjë në konsolidimin e shtetit dhe integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Vizitat që do të ndodhin këto ditë në Kosovë prej sekretarit të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, sekretares së Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, Baroneshës Catherine Ashton, sipas kryeministrit Thaçi janë mesazhi më i qartë mbështetës për shtetin e Kosovës “mesazhi i përshëndetjes së të arriturave në Kosovë”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se zotimi i institucioneve të Kosovës është për të punuar në vizionin për të ardhmen euro-atlantike.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për përparimin e Kosovës në ranglistën e Bankës Botërore.

“Përherë të parë nga listimi i Kosovës në BB në listën për të bërë biznes, Kosova ka shënuar një përparim të ndjeshëm në atë se si është listuar vitin e kaluar dhe 5 vite më parë. Në atë se çfarë është publikuar shihet se Kosova ka një ngritje për 28 vende krahasuar me pozicionin e njëjtë që kemi pasur vitin e kaluar, domethënë reformat të cilat janë bërë të gjithë së bashku, ndërsa është fakt i pakontestueshëm që Kosova dhe institucionet e saj kanë shënuar progres të jashtëzakonshëm gjatë vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti në implementimin e shumë reformave të bërit biznes”, ka theksuar ministrja.

Ndryshe në mbledhjen e kabinetit qeveritar janë miratuar edhe disa pika të rendit të ditës si projekt-rregullorja për normat teknike të mbrojtjes nga zjarri në ndërtimin e impianteve për lëngjet e ndezshme, deponimin dhe toçitjen.

Gjithashtu është miratuar edhe propozim-vendimi për themelimin e Komisionit Qeveritar për hartimin e koncept-dokumentit për regjistrin e mërgimtarëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›