Lugina e Preshevës të përfshihet në bisedimet Kosovë-Serbi

Nënkryetari i AKR-së dhe njëherësh Ministër i Diasporës, Ibrahim Makolli, menjëherë pas takimit me përfaqësuesit e shoqatës “Vatra”, ka thënë se kanë biseduar për çështjet që kanë të bëjnë edhe me dialogun e mundshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe çështjet që kanë nevojë të shtrohen në bisedimet e ardhshme në raport me Kosovën Lindore.
Mohimi i të drejtave të shqiptarëve na atë pjesë, si dhe statusi i pazgjedhur i banorëve të asaj pjese që tash e disa vjet jetojnë në Kosovë, sipas Makollit, ishin ndër temat kryesore të këtij takimi.
“Ne si parti politike duke qenë edhe pjesë e qeverisjes,pjesë edhe e Kuvendit të Republikës së Kosovës,do të përpiqemi dhe do të angazhohemi që shqiptarët në Luginën e Preshevës të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre të cilat u takojnë në vendin e vet, sikurse edhe për statusit të qytetarëve të asaj të cilët jetojnë në Kosovë e që vazhdojnë të përballen me probleme më të ndryshmet”, ka thënë Makolli.
Kurse, kryetari i Shoqatës “Vatra” të Preshevës, Sejdullah Kadriu deklaroi se kjo shoqatë janë takuar me të gjitha partitë politike në Kosovë, me të vetmin qëllim, sensibilizimin e problemeve të pazgjidhura të Kosovës Lindore.
Kadriu, ka bërë të ditur se kërkesa kryesore e tyre drejtuar liderëve kosovarë, ka qenë që në agjendën e bisedimeve të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë të futet edhe çështja e problemit të Kosovës Lindore.
“Shoqata “Vatra” ka zhvilluar takime me zëvendëskryeministrin Kuçin, me kryeparlamentarin, shoqatën e veteranëve të luftës dhe të gjitha partitë politike që participojnë në Kuvendin e Kosovës. Qëllimi i vetëm i takimeve ka qenë sensibilizimi i problemeve të pazgjidhura të Kosovës Lindore, gjegjësisht kemi kërkuar dhe kërkesa më e rëndësishme ka qenë që në bisedimet eventuale për problemin e Mitrovicës së veriut nëse Serbia kyçet në këto bisedime, kemi kërkuar që në agjendën e bisedimeve të futet edhe Kosova Lindore”, ka thënë ai.
Përveç kërkesës për përfshirjen e çështjes së shqiptarëve të Kosovës Lindore në bisedimet eventuale midis Kosovës dhe Serbisë, shoqata “Vatra” në takimet paraprake me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, kishte kërkuar edhe krijimin e një zyre pranë kryeministrit për çështjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe ndryshimin e qasjes së institucioneve të Kosovës ndaj statusit të të zhvendosurve nga kjo pjesë në Kosovë.