E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për informimin: Opozita ka të drejtë të hetojë zgjedhjet



Kërkesa e opozitës për të hetuar zgjedhjet nuk bie kurrsesi ndesh me ligjet e vendit. Madje kjo është e garantuar në ligj jo për një parti politike, por edhe për një qytetar të thjeshtë që kërkon të njihet me dokumentacionin zgjedhor. Madje edhe konstitucionalistët e konfirmojnë këtë duke iu referuar ligjit për të drejtën e informimit publik. Në Nenin 3 të këtij ligji të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë që në vitin 1999 thuhet se “çdo person ka të drejtë të kërkojë informacion për dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e organeve shtetërore pa qenë i detyruar të shpjegojë motivet”. Kur kjo e drejtë i jepet një qytetari të thjeshtë, duket se partia më e madhe opozitare në vend e ka të garantuar një kërkesë të tillë. Ndërkaq, në Kushtetutë parashikohet edhe mundësia e hetimit të mënyrës se si janë zgjedhur deputetët. Në Nenin 131 të Kushtetutës, në pikën “e” është shkruar se Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të verifikojë zgjedhshmërinë e deputetëve, gjë që mund të sjellë edhe ndryshimin e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor.
Megjithatë, synimi i opozitës është të hetojë zgjedhjet në disa qendra ku dyshon se janë bërë manipulime. Qëllimi i kërkesës së vazhdueshme të Partisë Socialiste është që të bëjë transparencën e procesit zgjedhor dhe të nxjerrë në publik të vërtetat e manipulimit. Lidershipi i PS-së ka theksuar se edhe në rast se për shkak të manipulimeve Partisë Socialiste i janë vjedhur mandate deputetësh, atëherë kjo parti nuk do të kërkojë kurrsesi ndryshimin e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor.
Ligji
“Çdo person ka të drejtë të kërkojë informacion për dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e organeve shtetërore dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore, pa qenë i detyruar të shpjegojë motivet. Autoriteti publik është i detyruar të japë çdo informacion në lidhje me një dokument zyrtar. Çdo informacion për një dokument zyrtar, që i është dhënë një personi, nuk mund t’i refuzohet asnjë personi tjetër që e kërkon atë, me përjashtim të rastit kur ky informacion përbën të dhëna vetjake të vetë personit, të cilit i është dhënë informacioni”, - shkruhet në Nenin 3 të Ligjit “Për të drejtën e informimit publik”. Ky ligj ndalon vetëm dhënien apo publikimin e informacioneve që cilëson sekret shtetëror. “Nëse informacioni i kërkuar për një dokument zyrtar kufizohet me ligj, autoriteti publik i lëshon kërkuesit një deklaratë me shkrim, në të cilën tregohen arsyet e mosdhënies së informacionit dhe rregullat në bazë të të cilave ai mund ta kërkojë atë”, - shkruhet në këtë ligj.
Opozita nuk kërkon të njihet me materiale që përbëjnë sekret shtetëror. Përkundrazi, kërkesa e PS-së është ngritja e një komisioni hetimor me objekt hetimin e zgjedhjeve, që parashikon njohjen me materialet e zgjedhjeve, fletët e votimit dhe procesverbalet e mbajtura.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›