E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: “Bojkoti i opozitës, ligji do të veprojë pas 6 muajsh”



Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, është shprehur dje gjatë një takimi me strukturat e Partisë Demokratike se në rast se deputetët e opozitës vazhdojnë bojkotin e Kuvendit për 6 muaj, atëherë, në bazë të ligjit, do të shikohet mandati i tyre. “Sigurisht që ne do të donim që Partia Socialiste të vinte në Kuvend, por në qoftë se i gjithë Grupi Parlamentar i sotëm i Partisë Socialiste ka vendosur të mbetet peng i interesave të Ramës, edhe mbi ta do të veprojë ligji. Gjë që do të thotë që në përfundimin e 6 muajve kushtetues nga marrja e mandatit, ligji do të veprojë mbi ta”, - është shprehur Olldashi. Duke iu referuar protestave të opozitës, Olldashi, me të njëjtën gjuhë si kryetari i partisë së tij, u shpreh se në rast se Rama i imponohet me forcë sistemit, atëherë ligji do të veprojë mbi të. “Ajo që bën Edi Rama nuk është politike, është vagabondazh, dhe ky njeri nuk është më një lider, por është një rrugaç. Askush nuk mund t’i imponohet një pushteti demokratik si ai që kemi ne sot, askush nuk do të lejohet. Ne kemi një forcë të pakrahasueshme përballë Edi Ramës, një forcë të pathyeshme dhe të parezistueshme, dhe kjo është forca e ligjit”, - u shpreh anëtari i Kryesisë së PD-së, Sokol Olldashi, gjatë takimit me strukturat e Partisë Demokratike në Fier.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›