Berisha-Berluskoni përgatisin “Partneritetin strategjik” midis dy vendeve
Kryeministri Berisha dhe kreu i qeverisë italiane Berluskoni do të lançojnë në fillim të vitit të ardhshëm programin për partneritetin strategjik midis dy vendeve, që përfshin organizimin e samiteve të niveleve më të larta politike në mënyrë të përhershme e periodike. Kjo u bë e ditur dje gjatë takimit që Berisha zhvilloi me drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme për Europën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, ambasadorin Mario Bova, i cili shoqërohej nga ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia. Dokumenti për partneritetin strategjik përfshin, ndër të tjera, organizimin e forumeve ekonomike, evenimenteve kulturore dhe artistike, të mbështetura nga një kuadër edhe më i gjerë dhe i sofistikuar ligjor dhe institucional, i cili do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të miqësisë dhe lidhjeve të ngushta ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe do të zgjerojë dhe thellojë bashkëpunimin dypalësh ekonomik, tregtar, në fushën e turizmit, mbrojtjes së mjedisit, kulturës, në fushën e mbrojtjes etj., në të mirë të progresit, zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe prosperitetit të të dy vendeve, si dhe do të japë një kontribut shtesë në përshpejtimin e hapave të mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu, partneriteti strategjik merr parasysh angazhimin e të dy vendeve për të intensifikuar kontributin e tyre në të gjitha nismat me karakter rajonal.
Gjatë takimit të djeshëm ambasadori Bova vlerësoi ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në Shqipëri vitet e fundit dhe e uroi kryeministrin Berisha për arritjet madhore si përsa i përket pranimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, realizimin e veprave të mëdha infrastrukturore, si edhe të reformave të tjera që po e shndërrojnë çdo ditë e më shumë Shqipërinë dhe imazhin e saj në botë. Në takim u shpreh edhe një herë interesi i madh i të dy vendeve për projektin e rëndësishëm infrastrukturor të Korridorit 8-të, i cili do të sillte një kontribut të ri në zhvillimin ekonomik, në rritjen e shkëmbimeve tregtare e të gjithanshme ndërmjet vendeve të rajonit, si dhe do të forconte miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve të këtyre vendeve.
Topalli takon senatorët çekë, merr mbështetje për proceset integruese
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të Komisionit të Integrimit në Senatin e Çekisë. Kryetarja e Kuvendit, duke vlerësuar mbështetjen e Çekisë gjatë presidencës së saj të BE-së, kur u dorëzua edhe aplikimi ynë për anëtarësim, shprehu kënaqësinë se projekti i Shqipërisë Europiane po vazhdon dhe data 16 nëntor është një datë shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. ashtu si data e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO dhe më pas pranimi si anëtarë.
Kryetarja e Kuvendit tha se pranimi i kërkesës së Shqipërisë, vetëm gjashtë muaj pas dorëzimit të saj, ishte një hap shumë domethënës në procesin tonë të integrimit. Ajo theksoi se po ashtu edhe liberalizimi i vizave, që pritet të bëhet vitin e ardhshëm, është një arritje shumë e madhe e objektivave tona, brenda një kohe shumë të shkurtër. Senatorët çekë vlerësuan se gjatë vizitave të tyre në Shqipëri, transformimet dhe hapat e saj drejt zhvillimit janë shumë të dukshëm. Ata shprehën gjithë mbështetjen për të qenë krah Shqipërisë deri në anëtarësimin e plotë në BE, duke besuar se ky destinacion do të jetë sa më i afërt.
25 Nentor 2009