E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama fton sindikalistët që tu bashkohen protestave të opozitës



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u kërkon konfederatave të sindikatave të Shqipërisë që t’u bashkohen protestave që do të organizojë dhe do të zhvillojë Partia Socialiste e opozita kundër qeverisë “Berisha”. Këtë ftesë Rama e ka bërë dje, gjatë fjalës që ai ka mbajtur në Kongresin e 4-t të Konfederatave. Sipas Ramës, ka ardhur koha e bashkimit të forcave për të shpëtuar rrënimin ekonomik të familjeve shqiptare. Kreu i Partisë Socialiste u tha sindikalistëve që t’i bashkohen protestës së opozitës, duke e argumentuar këtë gjë me akuzat që ai bëri në drejtim të kryeministrit Berisha, i cili, sipas tij, po grabit pronat e konfederatave të sindikatave. “Sali Berisha mendon se ju nuk ekzistoni dhe kjo është arsyeja që edhe pronat tuaja, të vetmen gjë të cilat mund të mbajnë me punë të ngrirë një fuqi të vërtetë sindikale, e cila nuk është e bakshisheve të pushtetarëve, Sali Berisha do t’ua marrë deri në fund për t’ikthyer jo në prona të të gjithë shqiptarëve, por në prona të familjes së tij dhe të njerëzve të pushtetit të tij. Ju çfarë do të thoni? Do të shikoni se si me ato prona, të cilat duhet të financonin lëvizjen sindikale do të pasurohet Sali Berisha, do të shtojë pasuritë e patundshme të familjes që nuk do të tundet nga pushteti dhe që nesër do ta përdorë pushtetin për vetë fitimet e paligjshme, të cilat janë një fuqi verbuese përballë varfërisë, papunësisë, rënies së skajshme të të gjithë atyre miliona shqiptarëve, i sheh ose si ushtarë të armikut, ose si skllevër të tij. Unë ju ftoj që ju të mos ua lëshoni Sali Berishës ato prona dhe ju siguroj që ka vetëm një rrugë për t’i ruajtur, për çdo shqiptar, liritë dhe të drejtat pronat e shpresat e veta: të dalë në rrugën protestës së pandalshme, deri në largimin e Sali Berishës”, - u shpreh Rama.

Kriza
Kryesocialisti u shpreh se mohimi që qeveria po u bën efekteve të krizës financiare ka sjellë gjithnjë e më tepër një situatë dramatike për ekonominë shqiptare. ”Megjithatë, edhe të dhënat publike, kështu siç janë, janë alarmante. Madje, qeveria po vonon të publikojë të dhënat e tetorit, gjë që s’ka si të mos lidhet me rëndimin e gjendjes dhe me konfuzionin e pushtetit përballë krizës. Në 6 muajt e parë të vitit, tregtia me pakicë ka pësuar rënie të ndjeshme në raport me një vit më parë. Ka rënie 4% sipas të dhënave zyrtare, më shumë padyshim në të vërtetë. Në 6 muajt e parë të vitit janë mbyllur apo kanë ngrirë aktivitetin 4 herë më shumë ndërmarrje të vogla e të mesme se sa vitin e kaluar, kjo padyshim do të thotë se edhe bizneset e vogla që kanë mbijetuar, kanë shitur më pak, sa për të mbajtur frymën gjallë dhe s’kanë mundur të rritin as pagat, as punësimin jo e jo”, - u shpreh kryetari i Partisë Socialiste.

Biznesi
Rama i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të tërhiqet nga një vendim makabër, siç e cilësoi ai, dhe që është ai i kalimit në biznese të mëdha, me ato që bëjnë xhiro mbi 5 milionë lekë në vit. “Në qoftë se Sali Berisha nuk e tërheq vendimin e tij makabër për biznesin e vogël në këtë kohë krize dhe do të këmbëngulë në rritjen deri në 3 herë të barrës fiskale për këtë biznes, atëherë pa as më të voglin dyshim, do të jenë me mijëra e mijëra sipërmarrësit e vegjël që do të dorëzohen, familjet që do të mbeten pa asnjë të ardhur, të papunët që do t’i shtohen vargut të gjatë të atyre që nuk e gjejnë dot një punë në këtë vend, ku nuk qeveris arsyeja e të zgjedhurve, por sundon arbitrariteti i të pavotuarve. Si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, së bashku me kryebashkiakët e kryekomunarët e opozitës në të gjithë Shqipërinë, i kemi bërë një apel publik Sali Berishës, ku kërkojmë anulimin e kësaj barre të re fiskale të jashtëlogjikshme dhe të papërballueshme për biznesin e vogël. Nuk do të mjaftohemi me fjalë, do të reagojmë fortë me veprim aktiv në mbrojtje të dhjetëra mijëra familjeve që mbahen përmes biznesit të vogël, në mbrojtje të të gjithë qytetarëve që në janar do të gjenden përballë çmimesh të rritura më larta akoma, në mbrojtje të buxheteve lokale që pa kontributet e biznesit të vogël nuk mund t’u shërbejnë normalisht komuniteteve me pastrim, ndriçim, gjelbërim, çerdhe, kopshte, shkolla, rrugë e me radhë”, - u shpreh Rama.

Skema e PS-së për zgjedhjet e parakohshme

Skema e opozitës për të shkaktuar zgjedhjet e parakohshme dhe rrëzimin e qeverisë synon në paralizimin dhe bllokimin e institucioneve kryesore. Socialistët do të vijojnë bojkotin në Kuvend duke e bllokuar maxhorancën në aprovimin e ligjeve të rëndësishme, të cilat duhet të miratohen sa më shpejt, pasi janë të lidhura me kërkesat që nevojit procesi i liberalizimit të vizave si dhe ai i anëtarësimit në BE. Ndër to përmenden ligjet që kanë të bëjnë me reformën në Drejtësi, apo ato që kanë lidhje me pyetësorin që do t’i dërgohet shtetit shqiptar nga BE-ja. Gjithashtu opozitarët do të fusin në lojë edhe pushtetin vendor. Pas datës 5 dhjetor ata kanë paralajmëruar ndërprerjen e shërbimit për qytetarët nga komunat dhe bashkitë që drejtohen nga përfaqësuesit socialistë. Zhvillimi i protestave popullore në mjaft qytete të vendit do të jetë një tjetër element që do të ndikojë, sipas opozitarëve, në rrëzimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Duke protestuar çdo ditë, ata do ta vënë maxhorancën në një trysni të madhe. Opozitarët shpresojnë edhe në rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj qeverisë për zgjidhjen e krizës politike dhe plotësimin e kushteve të tyre.

25 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›