Padia e PS: Kuvendi i ri do të kushtojë 110 mln euro
Një nga elementet që merr një trajtim të gjerë në kërkesën e socialistëve është ajo e kostos financiare që do të kërkojë ndërtimi i kompleksit të ri parlamentare. Lidhur me këtë çështje, kërkuesit pretendojnë se ligji në fjalë vjen në kundërshtim me Kushtetutën, pasi ndryshe nga sa përcaktohet në të, ai nuk paraqet një faturë financiare. “Sikundër mund të vihet re lehtësisht, ligji lë pa “qartësuar” një element të jashtëzakonshëm përsa i përket përmbajtjes dhe qëllimit të tij: vlerën e përgjithshme financiare të kompleksit të ri parlamentar”, - thuhet në kërkesë. Në këtë aspekt, deputetët socialistë konkludojmë se ligji, objekt i këtij ankimi kushtetues, vjen në kundërshtim edhe me urdhërimet kushtetuese të parashikuara nga nenet 82, pika 1 dhe 157, pika 4 të Kushtetutës, ku përcaktohet se “Propozimi i ligjeve, kur është rasti, duhet të shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij.” Dhe se “Organet e pushtetit qendror dhe atij vendor janë të detyruara t’i bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet.” Pra, sipas kërkesës, ligji nuk përmend se sa do të jetë vlera e përgjithshme dhe si do të sigurohen të ardhurat për këtë shpenzim. Në këtë mënyrë, thotë kërkuesi, ligji lejon hapësira të pakufizuara për shpërdorim të fondeve publike nga organet e shtetit, në vlera të konsiderueshme, duke rënduar barrën e taksave dhe tatimeve që duhet të mbajë qytetari shqiptar. Pavarësisht se në kërkesë bëhet e ditur se ligji nuk jep një faturë financiare, kërkuesi në padinë e paraqitur në gjykatë jep vetë një kosto financiare që varion, sipas tij, në shumën e 110 milionë eurove. Vetëm prishja e godinës për socialistët, lirimi dhe përgatitja e sheshit të ndërtimit për ndërtimin e kompleksit te ri, kërkon kryerjen e shpenzimeve, të cilat duhet të parandalohen dhe evitohen, sepse janë të pakthyeshme. “Vetëm me prishjen e Objektit të Piramidës, buxhetit të shtetit shqiptar i vjen një dëm financiar shumë i madh, përafërsisht në total prej: 333 milionë lekë dhe 66 milionë Euro (pa përfshirë këtu koston e konkursit të hershëm për rikonstruksionin e Kuvendit ekzistues). Kjo pasi në lidhje me dëmin financiar të ardhur duhet të përllogariten të gjitha shpenzimet e buxhetit të shtetit në lidhje me Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës si dhe çdo shpenzim tjetër në lidhje me konkursin për Rikonstruksionin e mjediseve të Kuvendit ekzistues & rikonstruksionit faktik të Sallës së Parlamentit (që kapi shifrën e deklaruar të 70 milionë lekëve)”, - thuhet në kërkesë.