E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojtarët e Uruguajt grabiten ndërsa luanin me Francën

JOHANESBURG-Uruguaj u bë skuadra e radhës që përfundon në kthetrat e grabitësve në Afrikën e Jugut. Ngjarja ka ndodhur ndërsa skuadra amerikano-latine ishte duke zhvilluar ndeshjen me Francën, teksa në dhomat e tyre të hotelit janë vjedhur sende me vlerë deri në 10 mijë dollarë. Policia ka bërë të ditur se nën hetim është edhe një anëtar i stafit të Uruguajt, e megjithatë vjedhjet janë kthyer në një problem shqetësues në ditët e para të Botërorit.

Afrika e Jugut shpreson që Kupa e Botës t’i sjellë miliona turistë në këtë vend, por aktet kriminale mund të shërbejnë si një frenim për këtë. Uruguaj është skuadra e dytë që grabitet në hotelin e saj, teksa më parë një gjë e tillë ka ndodhur me kombëtaren greke, një ditë përpara nisjes së Botërorit.
Dënimi
Autoritetet afrikano-jugore kanë dhënë shembullin e parë se nuk do të tolerojnë aktet kriminale gjatë Kupës së Botës. Policia e Johanesburgut bëri publik vendimin e Gjykatës për grabitësit me armë të gazetarëve spanjollë e portugezë. Dy persona Brajt Madzizi, 20 vjeç dhe Xhorxh Maguban 28 vjeç janë dënuar me nga 15 vjet burg për shkak se janë shpallur fajtorë për akuzën e grabitjes me armë. Ndërkohë me 4 vjet burg është dënuar edhe një bashkëpunëtor i tyre. “Ky është një shembull për të gjithë ata që kanë ndërmend të bëjnë ndonjë akt kriminal gjatë Kupës së Botës”, bëri të ditur policia në një komunikatë të shpërndarë për mediat.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›