E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi euroatlantik, si barometër i qeverisjes

Zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore të Shqipërisë, të evidentuara, të përkrahura dhe të inkurajuara edhe ndërkombëtarisht përbëjnë natyrisht një sukses të pamohueshëm. Është i natyrshëm kontributi i shumicës së shqiptarëve në këtë sukses, mirëpo mbetet roli i qeverisë dhe i mazhorancës në pushtet, projektues dhe zbatues të politikave që çuan në këtë ndryshim për të mos thënë përmbysje të situatës, njëherazi dhe imazhit në të cilin ata e morën përsipër qeverisjen e vendit tre vjet më parë.

Të mohosh rolin e qeverisë në këto arritje nuk tingëllon aspak e logjikshme, sidomos për opozitën e majtë, përgjegjëse për atë gjendje mbi të cilën llogaritet suksesi i sotëm i qeverisë. Pa dashur të mohojmë rolin e qeverisjes aktuale në zhvillimin dhe rritjen e imazhit ndërkombëtar të vendit, dua të theksoj se këto rezultate vlerësohen si “spektakolare” edhe për shkak të krahasimit të natyrshëm që i bëhen arritjeve me nivelin e qeverisjes së mazhorancës paraardhëse sot në opozitë.

Linja në të cilën dua ta mbajmë këtë analizë, është vlerësimi ndërkombëtar i qeverisjes aktuale, i konceptuar ndryshe si një sukses i politikës së jashtme të saj. Në tre vjet qeverisje të PD-së dhe aleatëve të saj, Shqipëria ka hedhur hapa të mëdhenj e të sigurt në realizimin e ëndrrës së saj të vjetër, rikthimit në familjen e saj evropiane. Ka shumë marrëveshje e traktate, por dy duket se janë me thelbësorët, Marrëveshja e Stabilizim- Asocimit me BE-në dhe anëtarësimi në NATO. Këto dy arritje historike kanë pa dyshim si bazë realizimin e kushteve paraprake politike ekonomike, ushtarake, shoqërore e të tjera, realizimi i të cilave ka qenë detyrë e kryer me sukses nga qeveria dhe mazhoranca në pushtet. Me pak fjalë, pjesa shqiptare e suksesit në sfidën shqiptare të integrimit euroatlantik i takon kryesisht qeverisjes së zotit Berisha.

Në të gjitha takimet apo samitet që diskutohet apo merret vendim për integrimin euro-atlantik të vendit institucionet dhe autoritetet përgjegjëse të BE-së, NATO-s dhe qeveritë aleate perëndimore kanë vlerësuar si vendimtare suksesin e reformave dhe plotësimin e kushteve nga qeveria shqiptare. Fakti që procesi i integrimit po zhvillohet pa probleme flet për përgjegjësinë, korrektësinë dhe suksesin e qeverisë në këtë sfidë që është njëherazi edhe pjesa më thelbësore e programit qeverisës. Çfarë ka bërë qeveria që ka fituar besimin, por edhe mbështetjen e partnerëve euro-atlantikë? Shumë thjesht. Ka realizuar në parametra të duhur premtimet e saj elektorale të mbështetura kryesisht tek lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, informaltetit në ekonomi si dhe një reformë ligjore e institucionale që me përjashtime të justifikuara, mund të konsiderohet e realizuar. Nuk është e nevojshme të përmenden një për një këto arritje, pasi sukseset në politikën e jashtme janë të mjaftueshme për të perceptuar të njëjtën situatë edhe në zhvillimet e brendshme, pasi siç thamë, kanë kushtëzuar njëra-tjetrën.

Në këto kushte përpjekjet e opozitës dhe mediave pranë saj për ta mohuar rolin e qeverisjes në suksesin e integrimit euro-atlantik dhe vlerësimin ndërkombëtar të Shqipërisë, ngjajnë mjerane dhe donkishoteske. Është me të vërtetë për të ardhur keq kur shikon përpjekje të dëshpëruara, duke nxjerrë në ekran dy-tre fshatarë “viktima” të shpërthimit në Gërdec me të cilët pretendon të mohosh apo të kundërshtosh publikisht vlerësimin e TI-së për korrupsionin apo më keq, miratimin nga Senati i SHBA-së të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Nuk besoj se ka shqiptar që t’i kapërdijë më proçka të tilla. Për ta përfunduar, dua që gjithkush që vë neë dyshim rolin e qeverisë neë suksesin ndërkombëtar të vendit t’i bëjë pyetje vetes: “Nëse nuk ka meritë qeveria, përse ky nivel i integrimit euro-atlantik dhe ky vlerësim i institucioneve monitoruese ndërkombëtare nuk u arrit kur në pushtet ishte e majta, sot në opozitë?” Nëse edhe fanatiku më i madh i së majtës ish-komuniste apo antiqeveritari më i egër guxon t’ia bëjë këtë pyetje vetes, përgjigja që do të marrë mbase nuk do ta kënaqë, por jam i sigurt që do ta ulë me këmbë në tokë, të paktën për të mos besuar si opozitë histori gjahtarësh opozitaro-mediatikë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›