Ligjvënësi amerikan Eliot Engel përshëndet Shqipërinë për anëtarësimin në NATO
Ligjvënësi amerikan Elliot Engel, një nga anëtarët kryesorë të Komisionit të Jashtëm të Kongresit dhe kryetar i Grupit për Çështje Shqiptare në Kongres, e përshëndeti dje Shqipërinë për anëtarësimin në NATO.
Në një deklaratë të zyrës së tij thuhej se zoti Engel:
Ligjvënësi Engel me Kryeministrin Berisha në Uashington
"...E përshëndet Shqipërinë për marrjen e vendit të merituar në NATO, përkrah vendeve të tjera demokratike anëtare të Aleancës.""Vetëm 20 vjet më parë, - thuhet në deklaratën e zotit Engel, - askush nuk mund të parashikonte se Shqipëria, dikur një nga vendet më të mbyllura të Evropës, do të bëhej një ditë anëtare e Aleancës së Atlantikut Verior. Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët kudo qofshin dhe një tjetër hap përpara për sigurinë në Evropë”, - thuhet në deklaratën e zotit Engel.
"Shqipëria, që ka çuar trupa të Irak, Afganistan dhe Bosnje, ka marrë tashmë përgjegjësitë si anëtare aktive e NATO dhe një partner europian tek i cili mund të mbështetesh. Anëtarësimi i saj në NATO është një tjetër fakt që tregon për kontributin e saj pozitiv ndaj sigurisë”, - thuhet në deklaratën e ligjvënësit amerikan Eliot Engel.
Zoti Engel ka qenë autori i rezolutës që miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në nëntor të vitit 2003, ku kërkohej anëtarësimi në NATO i vendeve të Kartës së Adriatikut, si Shqipëria dhe Kroacia.//lk