Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në BE, Michael Leigh viziton Shqipërinë

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kusht themelor për në BE
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, e nënshkruar në qershor 2006, hyn në fuqi sot më 1 prill 2009. Hyrja në fuqi e MSA-së shënon fillimin e një ere të re gjatë së cilës detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë, si edhe pritshmëritë për arritjet e saj, do të jenë më të larta se më parë.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin i Komisionit Evropian, Michael Leigh u takua me personalitete politike kryesore të vendit.
Ai zhvilloi një takim me kryeministrin Sali Berisha, ku theksoi rolin thelbësor të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Zgjedhjet në Shqipëri janë shumë të rëndësishme për në BE. Duhet të realizoni zgjedhje të lira dhe me standarde”, u shpreh ai.
Sipas Leigh, liberalizimi i vizave, varet nga Shqipëria. “Hyrja në fuqi e MSA-së shënon një fazë kontraktuale për hyrjen në BE”, theksoi ai.
Ndërkohë, nga ana tjetër, kryeministri Berisha u shpreh i angazhuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe njëherazi garantoi se “do të bëjmë çdo përpjekje për liberalizmin e vizave”, tha Berisha.
Gjithashtu, Leigh, pritet të marrë pjesë në Konferencën për Bashkërendimin e Donatorëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë që organizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit e Komisionit Evropian dhe nga Qeveria Shqiptare gjatë datave 2 dhe 3 prill, në Tiranë.
...