BE mirëpret dhe përshëndet hyrjen në fuqi të MSA-së

“Shqipëria do të ketë performancë më të mirë, në rrugën drejt BE-së”
Komisioni Evropian ka përshëndetur hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.
“Hyrja në fuqi e MSA-së shënon fillimin e një epoke të re për Shqipërinë. Tashmë Shqipëria pritet të ketë detyrime më të mëdha dhe performacë më të mirë”, vuri në dukje Komisioneri për Rehn.
“Unë e mirëpres hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Shqipërinë, marrëveshje kjo e nënshkruar në qershor të vitit 2006. MSA-ja mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian paraqet një marrëdhënie kontraktuale me të drejta dhe detyrime të ndërsjella. MSA-ja përqendrohet te respektimi i parimeve kyçe të demokracisë dhe elementeve thelbësore të tregut të përbashkët të BE-së. Zona e tregtisë së lirë me BE-në dhe aplikimi i standardeve të BE-së në fushën e konkurrencës, rregullave të ndihmës shtetërore apo pronës intelektuale, së bashku me reformat e hartuara drejt përvetësimit të standardeve evropiane në fusha të tjera do t’i japin Shqipërisë mundësinë t’i afrohet BE-së”, u shpreh Rehn.
Ai garantoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit nëpërmjet procesit të Stabilizim Asociimit, politika e BE-së për të ndërtuar bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor si edhe bashkëpunim rajonal. “Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit janë përbërëse kyçe të këtij procesi. Në mbështetje të reformave të duhura, BE-ja vë në dispozicion ndihmën e para-Anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë e cila do e kalojë shumën prej 6.8 miliard euro për periudhën 2009 - 2012.
...