Kryeministri Sali Berisha deklaron pas dorëzimit në Departamentin e Shtetit, të Instrumentit të Aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut

“Hyrja në NATO, siguri dhe përgjegjësi”
Falënderime, mirënjohje dhe premtime, ka artikuluar dje Kryeministri Sali Berisha në vigjilje të ligjërimit të hyrjes së Shqipërisë në NATO. Deklarimet e tij Berisha i ka bërë dje në mënyrë publike në një konferencë shtypi, me rastin e dorëzimit, në Departamentin e Shtetit, të instrumentit të aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut.
“Sot, në orën 18:00, dokumentet e Shqipërisë dhe dokumentet e Kroacisë për anëtarësim në NATO u dorëzuan në Departamentin e Shtetit, dhe në këtë mënyrë vendi ynë bëhet përfundimisht vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut”, deklaroi dje Berisha në fillimin e konferencës për shtyp.
Në pragpërfundimin e këtij procesi, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë, ndaj vendeve anëtare të NATO-s, vendeve të BE-së dhe SHBA-ve, për besimin e tyre, sipas tij në finalizimin e këtij procesi.
“Në këtë ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, jam këtu për të shprehur mirënjohjen time më të thellë, të qeverisë dhe të mbarë shqiptarëve, ndaj të gjitha vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit lider të kësaj Aleance, për besimin më të madh që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre, për besimin që dëshmuan ndaj tyre dhe vendit të tyre, besim ky që ishte përcaktues për finalizimin me sukses të këtij procesi. Unë, gjithashtu, gjej rastin të përshëndes dhe të shpreh mirënjohje të thellë ndaj të gjitha vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat i dhanë Shqipërisë, e cila vetëm 15 vite më parë ishte një nga 3-4 vendet më të varfra të planetit, ndihmën dhe mbështetjen më të madhe e më të gjithanshme, ndihmë dhe mbështetje që u shndërruan në faktor kryesor të ndryshimeve të mëdha që pësoi ky vend dhe që bënë të mundur që ai të përzgjidhet dhe të pranohet për vend anëtar të NATO-s”, deklaroi Kryeministri Sali Berisha.
Falënderimet dhe mirënjohjet Kryeminitri Sali Berisha, nuk i kurseu as për Presidentët e SHBA-ve, Xhorxh Bush dhe Barak Obama, si edhe për gjithë shqiptarët për kontributin e tyre në realizimin e reformave.
“Një mirënjohje e veçantë në këtë proces i përket ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara Xhorxh Ë. Bush, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit Obama dhe administratës së tij, pa mbështetjen e të cilëve ky proces do të ishte i pamundur. Por, gjithashtu, unë dua të shpreh falënderimin dhe vlerësimin tim më të madh për të gjithë shqiptarët në tërësi dhe në veçanti për ata burra, gra, punonjës, ekspertë, politikanë, që kontribuuan në reformat e mëdha që bën të mundur këtë proces. Ishin reformat dhe vetëm ato, në veçanti reformat e këtyre katër viteve të fundit, që e shndërruan Shqipërinë në një vend anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut”.
Nga ana tjetër, Kryeministri në vlerësimin e tij për hyrjen e Shqipërisë në NATO, ripërsëriti edhe detyrimet dhe premtimin për përmbushjen e detyrave.
“Unë dua të shpreh dhe një herë falënderimet dhe mirënjohjen, dua të garantoj mbarë qytetarët shqiptar, dua të garantoj të gjitha vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe ekipin e tij, se Shqipëria në këtë moment, më të rëndësishmin në historinë e saj pas shpalljes së pavarësisë, e merr gjithashtu dhe si momentin e përgjegjësive më të mëdha për të konsoliduar në këtë vend vlerat e lirisë që vendet anëtare të Aleancës ndajnë, për të bërë të gjitha përgatitjet që paqeruajtësit dhe ushtarakët tanë të përmbushin me dinjitet të gjitha detyrat, detyrimet dhe misionet që rrjedhin nga anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.
Shqipëria dhe Kroacia depozituan dje Instrumentet e Aderimit në NATO. Që prej ditës së djeshme, të dy vendet janë tashmë de jure anëtare të Aleancës Veri-Atlantike
Në një ceremoni në Departamentin e Shtetit, Zëvendëssekretari James Steinberg pranoi dje instrumentet e aderimit në Traktatin e Atlantikut të Veriut për Shqipërinë dhe Kroacinë, për të cilat SHBA është qeveria përgjegjëse për marrjen në dorëzim.
Në momentin që Zëvendëssekretari mori instrumentet e aderimit, Shqipëria dhe Kroacia u bënë Aleate të NATO-s.
Ambasadori shqiptar Aleksandër Sallabanda dhe Ambasadori kroat Kolinda Grabar-Kitarovic përfaqësuan vendet e tyre në këtë ceremoni. “Ne mirëpresim përmbylljen e procesit të aderimit para Samitit të 60 Vjetorit më NATO-s të 3 dhe 4 Prill, ku kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe kryeministri kroat Ivo Sanader do të zënë vend për herë të parë duke përfaqësuar vendet e tyre si anëtare të Aleancës”, bënte të ditur dje Ambasada Amerikane në Tiranë, duke komentuar Depozitimin e Instrumenteve të Aderimit në NATO, nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë.
...