E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Basha mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Afganistanin, të zhvilluar në Holandë

Shqipëria shton trupat në Afganistan, bursa edhe për studentët afganë

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Afganistanin, të zhvilluar më 31 mars 2009, në Hagë, Holandë. Në këtë Konferencë, e cila u bashkëorganizua nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Qeveria e  Afganistanit dhe Qeveria Holandeze, morën pjesë mbi 80 delegacione të nivelit të lartë nga vende dhe Organizata Ndërkombëtare kontribuuese në misionet ndërkombëtare në Afganistan. 

Konferenca e zhvilluar në Hagë riafirmoi angazhimin solid dhe afatgjatë të bashkësisë ndërkombëtare në mbështetje të Qeverisë së Afganistanit dhe përcaktoi si prioritete kryesore promovimin e mirëqeverisjes, forcimin e institucioneve afgane, gjenerimin e rritjes ekonomike, forcimin e sigurisë dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal. 

Liderët botërorë të pranishëm në këtë Konferencë dhanë mesazhe të rëndësishme në mbështetje të Qeverisë dhe popullit afgan. Këto mesazhe u përcollën nga Sekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara, Hillari Klinton, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Havier Solana. 

Në fjalën e tij në Konferencë, Ministri Basha, shprehu mbështetjen e Qeverisë Shqiptare në kuadër të angazhimit ndërkombëtar në Afganistan. Duke ju referuar edhe takimeve të mëparshme ndërmjet Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Karzai, Ministri Basha, tha se përveç kontributit aktual në Afganistan, qeveria shqiptare do të rrisë numrin e trupave edhe me një kompani tjetër, si dhe do të ofrojë bursa studimi për studentët afganë dhe do të asistojë në forcimin e shoqërisë civile.  

Ministri Basha, sikundër dhe pjesëmarrësit e tjerë në Konferencë, vlerësuan strategjinë e re të administratës amerikane për Afganistanin, si një kontribut i rëndësishëm në rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së bashkësisë ndërkombëtare në Afganistan. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e adresimit të përbashkët të çështjeve civile dhe ushtarake dhe vendosjes së tyre në një perspektivë rajonale. 

Gjatë punimeve të këtij Samiti, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, u takua dhe bisedoi me Ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Italisë, Suedisë, Australisë, Sllovakisë. Fokusi kryesor i këtyre takimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimi Evropian i Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›