Kreu i Qeverisë Sali Berisha përshëndet hyrjen në fuqi të MSA-së

Marrëdhëniet Shqipëri-BE hyjnë në një erë të re
“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e votëbesuar si rezultat i reformave serioze të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe Shqipëria në tërësi, gjatë këtyre dy viteve, u ratifikua nga 27 qeveritë dhe parlamentet e vendeve anëtare”
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke e vlerësuar këtë si një kapitull të ri në marrëdhëniet me BE, por, njëkohësisht, edhe si përgjegjësi të reja për të gjithë institucionet shqiptare. “1 prilli shënon hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Tashmë, midis shqiptarëve dhe BE-së hapet një kapitull i ri, jashtëzakonisht i rëndësishëm, në procesin e integrimi të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e votëbesuar si rezultat i reformave serioze të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe Shqipëria në tërësi, gjatë këtyre dy viteve, u ratifikua nga 27 qeveritë dhe parlamentet e vendeve anëtare. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së hyjnë në një erë të re. Shqipëria dhe BE-ja, tani e tutje, do të bashkërendojnë bashkëpunimin e tyre mbi bazën e Këshillit të Stabilizim Asociimit, i cili mblidhet muajin maj që vjen”, tha Berisha, duke shtuar se shqiptarët me këtë Këshill dhe status fitojnë të drejta në përputhje me standardet shumë më të gjerë në procesin e integrimit se deri tani dhe një ndër më të rëndësishmet është ajo e lëvizjes së lirë. Sipas kryeministrit, liberalizimi i vizave me Shqipërinë apo heqja e tyre nuk përcaktohet vetëm nga hyrja në fuqi e MSA-së, por përcaktohet gjithashtu, njëlloj edhe nga pajisja e qytetarëve shqiptarë me dokumente të reja identiteti.
“Ndaj, edhe një herë, në emër të qeverisë, u bëj një apel miqësor çdo shqiptari që të marrë letërnjoftimin e ri, si një dëshmi e vullnetit të tyre për të kontribuar si në procesin e votimit, për të votuar si çdo qytetar tjetër i vendeve më të zhvilluara të këtij kontinenti, por për të dëshmuar gjithashtu, se me aktin e tij, ai dëshiron të kontribuojë në lëvizjen e lirë, të kontribuojë në rritjen e sigurisë së vendit, dëshiron të kontribuojë në procesin e integrimit”, u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë shtoi se hyrja në fuqi e MSA-së do të thotë hyrje në fuqi e përgjegjësive të reja për qeverinë, parlamentin dhe të gjitha institucionet e vendit.
...