Parlamenti maqedonas nis punimet, në seancë edhe PDSH e LSDM
Parlamenti maqedonas ka nisur dje punën pas përfundimit të pushimeve verore. Në rendin e ditës, përveç pikave të tjera ishte edhe rimiratimi i pesë ligjeve të cilat nuk u dekretuan nga presidenti Branko Cërvenkovski pak ditë më parë. Për të tretën herë deputetët edhe me prezencën e LSDM-së debatuan për Ligjin për avokaturë, lobim, energjetikë, eksproprijim, Ligjin për marrëdhënie pune si dhe Ligjin për punë të jashtme. LSDM-ja parashtroi disa amendamente, të cilat sipas përfaqësuesve të kësaj partie humbën nëpër labirintet e Parlamentit dhe nuk iu shpërndanë deputetëve siç parashohin procedurat. Ndërkohë kryeminstri Gruevski tha dje se në këtë fazë nuk ka mundësi për intervenime në ligj përmes amandamenteve. Punës në parlament iu rikthye edhe Partia Demokratike Shqiptare e cila dorëzoi propozim-ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe të përgatitur nga kjo parti.
26 Gusht 2008