E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria nuk pranon kërkesën e invalidëve, në një ditë 860 lekë

Flet zëvendëspresidenti, Ali Plaka:” Greve urie për kërkesat tona”

Emanuela Sako

Invalidët megjithëse pwr ta sapo u mor njw vendim i ri nga qeveria swrish ndihen të persekutuar. Me rritjen që është bërë nga qeveria një muaj e gjysmë më parë, kjo kategori shprehet se nuk është aspak e pranueshme dhe se nuk është zgjidhur asgjë me këtë rritje minimale. Zëvendëspresidenti i Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetari i Degës së Tiranës për invalidët, shprehet se kërkesat e tyre për rritjen e shumës së lekëve në ndihmë të këtyre personave nuk janë marrë parasysh nga qeveria. Sipas tij, ata kanë kërkuar që të përfitonin një rritje deri në 10 euro në ditë, ndërsa qeveria i’u ka mundësuar vetëm 860 lekë në ditë. Shoqata e ka ripërsëritur kërkesën në kryeministri, por ende nuk është marrë një përgjigje. Ndërkohë që, shprehet se dhjetëra invalid janë në kushte tepër të vështira për të mbijetuar dhe një ndër problemet më të mëdha që duhet t zgjidhet është çështja e strehimit.

Para dy muajsh qeveria vendosi rritjen e tarifës për Paraplegjikët dhe Tetraplegjikët. Është e mjaftueshme për nevojat tuaja rritja e tarifës për shërbimet?
Qeveria nuk i plotësoi kërkesat që i kishim paraqitur ne për rritjen e pagesës që duhet të bëjë për të na ardhur në ndihmë. Ne i kërkuam qeverisë rritjen e pagesës për kujdestarinë nga 8 mijë lekë që ishte në 16 apo 18 mijë lek. Gjithashtu kërkuam që kujdestarit t’i njihej siguracioni dhe vjetërsia e punës. Kjo është e domosdoshme sepse dikush që shërben është e detyruar që të qëndrojë Brenda me atë që ka nevojë dhe të mos jetë e angazhuar në ndonjë punë tjetër.

Cilat janë përfitimet që keni marrë nga vendimi i qeverisë?
Përfitimet janë tepër të ulëta. Kështu, nga 8 lekë që ishte paga për kujdestarinë u rrit vetëm 700 lekë, gjë që është e pamjaftueshme. Ndërsa përfitimet higjiene-sanitare, nga 9 mijë lekë që ishin u rritën në shifrën e 12 mijë lekëve në muaj. Ndërsa ne i kemi kërkuar qeverisë rritjen deri në 300 euro në muaj ose 10 euro në ditë. Kemi kërkuar rritjen e shumës që duhet të japë qeveria për karburant dhe për të na dhënë mundësinë të lëvizim me makinë, gjë që u realizuar fare pak. Në vitin 2000, ne kemi pasur një buxhet prej 4 mijë lekësh për karburant, ndërsa tani që është rritur çmimi i naftës u bë 6 mijë lekë në muaj. Lekët për blerjen e karburanti nuk mbulojnë aspak nevojat që kemi për të lëvizur me makinë. Për këtë çështje, ne i kërkuam qeverisë të rrisë shumën deri në 13 mijë lekë në muaj për karburant.

Cili është premtimi që ju ka dhënë qeveria për rritjen e shumës së lekëve për këtë kategori?
Pra pak muajsh Shoqata e Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve bëri një protestë për të kërkuar të drejtat e tyre lidhur me këto çështje. Mbas protestës ne kemi kontaktuar me këshilltarin e kryeministrit, ku kemi parashtruar kërkesat tona dhe na është thënë se do të merreshin parasysh dhe se shumë shpejt do të kishim një përgjigje. Gjithashtu, na kërkuan që të ngrinim një grup pune dhe të hartonim një relacion të detajuar me kërkesat tona. Ky do të ishte një dokument i firmosur nga 5 anëtarë të shoqatës sonë. Pasi e dorëzuam dokumentin i lamë qeverisë 15 dit afat për të kthyer përgjigje. Por deri tani, nuk kemi asnjë përgjigje nga kryeministri i vendit. Ndërsa ne jetojmë në mjerim të plotë dhe në kushte jonjerëzore për shkak të pamundësisë që kemi për të jetuar.

Si është zgjidhur problemi i strehimit të invalidëve në të gjithë vendin?
Strehimi i kësaj kategorie është një katastrofë dhe shumica e këtyre personave jetojnë në kushte tepër të vështira. Për strehimin tonë, ne kemi kushte lehtësuese nga qeveria, ku duhet të përfitojmë një kredi prej 21 milion lekësh. Por, deri para 3 apo 4 viteve këtë ndihmë e kanë përfituar vetëm 3 persona në disa rrethe të vendit dhe 3 apo 4 të tjerë në tiranë. Ndërsa, tani na është komunikuar nga Ministria e Transporteve se ky ligj nuk është më në fuqi dhe se duhet të merret Bashkia e Tiranës për çshtjen e strehimit. Por, Bashkia na thotë se paratë i merr Ministria e Transporteve dhe ata duhet të bëjnë dorëzimin e fondit dhe atëherë duhet të merren me strehimin tonë. Nuk dimë se ku të drejtohemi, ndërkohë që shumë persona vuajnë duke jetuar në mjerim dhe në pamundësi për të plotësuar edhe kushtet më minimale të jetesës. Në një kohë kur nuk kemi mundësi të blejmë edhe materialet higjiene-sanitare.

Si jetojnë paraplegjikët dhe Tetraplegjikët?
Një pjesë e madhe e tyre jetojnë në shtëpi me qira. Ka shumë invalid që vijnë pranë zyrave tona dhe na kërkojnë t’i ndihmojmë, duke u ankuar në shoqatë për ndihmën minimale që jep shteti për ne. Ata rrinë 4 orë në ditë para bashkisë apo ministrisë duke protestuar për zbatimin e të drejtave të tyre dhe për të na dhënë mundësinë për të jetuar si njerëz. Disa jetojnë në konvikte dhe paguajnë qiranë e konviktit, siç është rasti i një invalidi, i cili është invalid bashkë me bashkëshorten dhe kanë një fëmijë. Kjo familje jeton në konviktin e Institutit Bujqësor të Kamzës në kushte tepër të vështira dhe në pamundësi për të rritur fëmijën e vogël. Si ky rast, ka me dhjetëra në të gjithë vendin. Madje, kryetari I paraplegjikve dhe tetraplegjikëve në qytetin e Vlorës, nuk ka përfituar as një zyrë për të pritur të sëmurët. Por këtë problem e ka zgjidhur duke ngritur një barakë në mes të rrugës derisa autoritetet të vendosin t’i japin ambiente për të ushtruar punën e tij.

Si është zgjidhur çështja e punësimit për personat invalid dhe a ka të punësuar?
Kjo është një çështje më vete dhe ende e pazgjidhur. Invalidët nuk janë të punësuar dhe e kanë të pamundur të punësohen pa ndihmën e shtetit. Ne e kemi paraqitur këtë kërkesë dhe nuk është bërë ende asgjë. Një invalid mund të punësohet si gazetashitës në një kioskë apo si librashitës në një librari. Ne kërkojmë vetëm ato punë që mund të realizohen nga një invalid.

Nëse qeveria nuk përmbush kërkesat tuaja, si do të vepronit për t’iu ardhur në ndihmë gjithë invalidëve në të gjithë vendin?
Nëse shteti nuk përmbush kërkesat tona deri në 10 shtator, ne do të protestojmë përsëri. Kësaj here do të bllokojmë Rrugën e Durrësit me karroca. Dhe nëse përsëri nuk do të kemi një përgjigje, atëherë do të hyjmë në grevë urie, si dhe do t’iu drejtohemi autoriteteve ndërkombëtare të ndërhyjnë për të zgjidhur çështjen tonë.

26 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›