Ligori: Berisha dhe Meta nuk mund të hetojnë veten
Hedhja poshtë e opsioneve juridike të opozitës socialiste lidhur me hetimin parlamentar ka ngritur që ditët e para pas seancës së 18 marsit pikëpyetje mbi legjitimitetin e komisionit hetimor, por edhe mbi integritetin e punës së tij. Jo vetëm pse kërkesat e PS, si nismëtare e krijimit të tij, nuk janë përfshirë në objektin e punës së këtij organi, por edhe pasi funksionimi vetëm me një palë mund të shërbejë për të instrumentalizuar edhe më tej betejën politike që lidhet me manipulimet e mundshme në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke u nisur nga kjo situatë e pazakontë, në këndvështrimin juridik, normaliteti duket se mund të kthehet vetëm përmes një rishikimi të vendimeve të Parlamentit dhe një përfshirjeje të kërkesave të PS në objektin e tij. Të paktën ky është mendimi i deputetit socialist, Damian Gjiknuri, i cili edhe në cilësinë e juristit ka deklaruar për “Shqip”, se rruga juridike mund të aktualizohet vetëm nëse pretendimet e PS merren seriozisht në konsideratë. “Duhet ribërë komisioni hetimor, duke marrë për bazë objektin hetimor të propozuar nga PS. Brenda kësaj logjike mund të shihen edhe mundësitë për kompromis”, u shpreh ai. Koherenca e një gjykimi të këtillë me vendimet e fundit politike të Partisë Socialiste thekson edhe një herë se interpretimet e diktuara me forcën e kartonit nuk ofrojnë asnjë zgjidhje reale; të para me syrin e profesionistit, por edhe nga këndvështrimi politik. Sa i përket këtij të fundit, edhe dje Partia Socialiste nuk ka munguar që të rikonfirmojë denoncimin publik të komisionit hetimor të ngritur jashtë vullnetit të saj dhe mbi një bazë procedurale të dyshimtë. “Partia Socialiste e refuzon këtë komision hetimor, si një komision të ngritur me shkelje flagrante të ligjit dhe si i tillë, ai, jo vetëm që nuk mund të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, po përbën në vetvete objekt hetim”, shprehu dje qëndrimin zyrtar të PS, deputetja Arta Dade. Do të mjaftonin vetëm këto dy gjykime, ai profesional por edhe ai politik, që vjen si linjë zyrtare e opozitës për të vlerësuar se seanca e 18 marsit nëse nuk e ka rënduar krizën, minimalisht e ka çuar shumë larg keqkuptimin mes palëve, duke dëmtuar rëndë komunikimin. Por e drejta e PS në këtë pozicionim pas 18 marsit, sidomos për sa i përket komisionit hetimor, mund të përftohet edhe përmes një rruge të tërthortë që ka si burim më të freskët deklaratat e zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Në një dalje të djeshme për mediat, ai ritheksoi rrugën konstitucionale për shqyrtimin e kërkesës së PS për hapjen e kutive, që sipas tij ka si adresë Gjykatën Kushtetuese. Pavarësisht se ky propozim është legjitim në vetvete, ai ngre një pikëpyetje mbi integritetin e një komisioni, i cili do të nisë punën në një kohë që edhe vetë shumica në pushtet nuk mund të imponohet si arbitër i fundmë të paktën për argumentin juridik. Një përgjigje e thatë ndaj “sugjerimit” të Metës ka mbërritur nga deputetja tjetër e PS, Shega Ligori, e cila është mjaftuar të rikonfirmojë qëndrimin politik, sipas të cilit “përpara së drejtës ligjore dhe kushtetuese, PS dhe mbarë populli opozitar nuk do të ndalet”. Sipas saj, Berisha dhe Meta nuk mund të hetojnë vetveten për zgjedhjet.
#