E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi shqiptar paguan taksën e TVSH-së më të lartë në rajon

Krahasimet Operatorët turistikë: Nuk konkurrojmë dot. Të rishikohet paketa

Pavarësisht se jemi tre muaj larg fillimit të sezonit turistik veror, operatorët privatë ngrenë shqetësimin për masat që duhet të marrë qeveria. Duke marrë si shembull vendet e tjera që lagen nga deti Adriatik dhe ai Mesdhe, me të cilat Shqipëria përpiqet të bëjë konkurrencë, vihet re niveli i ulët i taksës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh). “Aktualisht bizneset shqiptare te hotelerisë dhe restoranteve, që aplikojnë regjimin e TVSH-së, nuk mund të thuhet se ofrojnë shërbime me çmime konkurruese për të njëjtën cilësi shërbimi krahasuar me fqinjët apo vendet e tjera europiane”, thotë Jak Topuzi, President i Sektorit të Akomodimit, në Shoqatën Shqiptare të Turizmit.

Aktualisht, taksa e TVSh-së prej 20 për qind në Shqipëri, për çmim dhome, krahasuar me Turqinë (8 për qind), Greqinë (6-9 për qind), Malin e Zi (7 për qind), Italinë (10 për qind), Francën (5.5 për qind), Maltën (5 për qind) etj., është 200-400 për qind më e lartë.

Krahas TVSh-së, taksat lokale si 5 për qind e çmimit të fjetjes në hotel, pagesat relativisht të larta të transaksioneve bankare (komisioni për kartat e kreditit 2-4.5 për qind), çmimi i energjisë elektrike, karburantit për ngrohje etj., e bëjnë sektorin e hoteleve të diskriminuar. E njëjta situatë paraqitet dhe me restorantet.

“Pjesë e politikave mbështetëse e qeverisë për industrinë turistike, duhet të jetë dhe rishikimi i nivelit të TVSh-së për hotelet dhe restorantet. Argumentimet për një TVSH të reduktuar për hotelet dhe restorantet në Shqipëri bazohen në praktikën që po ndjek BE-ja për sistemin e TVSh-së së reduktuar në vendet anëtare të saj”, thotë Topuzi. Prej vitesh hotelet e tashmë edhe restorantet në vendet e BE-së, sipas direktivave të Komisionit Europian (Direktivës 2006/112/EC), kane mundësinë te jene subjekt i TVSh-së reduktuar, (20 nga 27 vendet e BE-së kanë një TVSh më të vogël ose baras me 10 për qind për hotelet, kryesisht ato të Mesdheut). Sipas Shoqatës së Operatorëve Turistikë, takimi i Këshillit Europian për Heshtjet e Ekonomisë dhe Financave në Bruksel më 10 mars 2009 u ka dhënë dritën jeshile shteteve anëtare të aplikojnë TVSh-në e reduktuar dhe për sektorin e restoranteve.

Sipas Topuzit, niveli i çmimeve të hoteleve është faktor vendimtar i konkurrueshmërisë së destinacioneve turistike. Mjaft shtete mesdhetare ndjekin politika mbështetëse për sektorin e turizmit përfshi dhe ato fiskale.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›