E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e re, MEGA, në vështrimin e nismëtarëve dhe të opozitarëve

Minoriteti

Për partinë e re të minoritetit etnik grek flasin Kristaq Kiço, kryetar i bordit të parë drejtues dhe Leonidha Papa, kryetar i komanduar i “Omonia”-s në Sarandë, njëherësh edhe zëdhënës shtypi për organizatën politike “Omonia”.

Kristaq Kiço: është një moment historik për minoritetin etnik grek në Shqipëri. E them këtë, pasi kohët e fundit ai është ndjerë thellësisht i papërfaqësuar në pushtetin qendror. Binomi “Omonia”-PBDNJ ka dështuar totalisht, treguesi më sintetik i të cilave është rezultati më i dobët që shënoi PBDNJ në zgjedhjet politike të vitit 2009, nga të cilat mezi doli një deputet i vetëm. Kjo në fakt tregon se minoriteti nuk ka më besim tek ajo parti. Arsyeja kryesore është te moszbatimi i parimeve demokratike, duke mos lejuar zgjedhjen e njerëzve të devotshëm. Grupi nismëtar i krijimit të partisë së re, MEGA, prej 3 vjetësh është duke bërë përpjekje për të demokratizuar “Omonia”-n. Na u premtuan zgjedhje të hapura dhe ndryshime në statut, por nuk u bënë.

Krijimin e partisë MEGA e shohim si vazhdim të “Omonia”-s, pasi për ne ajo e ka mbyllur ciklin e vet. Partia e re është vazhdim i saj, por në dallim prej saj ka vendosur dhe do të zbatojë rregulla demokratike. Parimi ynë kryesor është: zgjedhje të hapura dhe sipas parimit “një minoritar, një votë”. Kjo do të thotë që edhe kryetari i partisë do të zgjidhet me votim të hapur nga anëtarësia. Firmëtarët e dokumenteve të saj themelore janë vetëm njerëz të rinj e të papërfshirë deri tani në politikë. Ndërsa emrat e njohur në politikë apo qeverisje, të afruar me këtë parti, do të mbështesin organizimin e saj me mundësitë dhe eksperiencën e tyre, por në krye të saj do të mund ta shohin veten, në se kjo vendoset me votim të anëtarësisë së gjerë.

Disa nxitojnë ta cilësojnë krijimin e MEGA-s si çarje të minoritetit, ndërkohë që misioni dhe shërbimi që ajo i bën minoritetit është e kundërta: bashkimi i tij. Kjo krijesë po lind dhe do të mbetet gjithëpërfshirëse. Kjo duket edhe në vendimin tonë për të pasur në parti kartën e anëtarësisë dhe kartën e mikut të saj. Komisioni nismëtar ka 27 veta në përbërje, ndërsa bordi i parë drejtues i saj ka 12 vetë, nga të cilët një nënkryetar nga Saranda, një tjetër nga Gjirokastra e një të tretë nga diaspora. Bie në sy niveli i lartë intelektual i këtij grupi prej 12 vetash dhe pranueshmëria që ata kanë në opinion, përveçse janë të suksesshëm në punët e tyre të përditshme. Radhët e hapura për këdo, pavarësisht nga bindja politike, zgjedhjet direkte nga anëtarësia e kryetarit dhe këshillit kombëtar, transparenca maksimale e zgjedhjeve, e siguruar edhe nga mandati 5-vjeçar i komisionit zgjedhor dhe mosndikimi politik nga asnjë parti tjetër, brenda apo jashtë vendit, janë ato që na dallojnë nga partitë e tjera dhe që e identifikojnë partinë MEGA si një lëvizje të pastër të minoritetit. Unë do të thosha se ajo është ngritje në një stad të ri e në një nivel më të lartë e “Omonia”- s së deritanishme.

Leonidha Papa: është e pranuar dhe e provuar që minoriteti etnik grek, edhe në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, në masën 35 për qind votoi për PBDNJ-në dhe 65 për qind për partitë e mëdha, PS e PD. Në se kjo parti e re synon të marrë votat e atyre që kanë vajtur me këto parti të mëdha për interesa personale dhe jo ideologjike, apo nisur nga ndjenja pakënaqësie ndaj PBDNJ-së, do ta vlerësoja pozitivisht krijimin e partisë së re. Por në se ajo krijohet për të sjellë një përçarje tjetër, apo të thellojë përçarjen ekzistuese në minoritet, nuk ka për të dhënë ndonjë gjë të re. Unë nuk di as iniciatorët, as synimet dhe as programin e asaj partie, por kam përshtypjen se motiv i vetëm i krijimit të saj është për t’u dhënë poste disa njerëzve dhe jo për të dhënë zgjidhje. Më thjesht akoma: për t’u dhënë rol disa njerëzve të caktuar.

Ana tjetër e diskutueshme e kësaj partie është baza dhe profili i saj tërësisht etnik. Për mendimin tim, një organizatë politike mund të ngrihet mbi këtë bazë, por jo një parti. Pasi prejardhja etnike ka një përmbajtje ideologjike, kulturore, por jo politike dhe shoqërore. Shoqëria dhe politika shqiptare nuk janë ende gati të pranojnë një minoritet të integruar, pasi ato e duan të asimiluar. Në këtë stad që jemi, nuk mund të mendohet që një parti e madhe t’i japë akses një minoritari anëtar të saj, i cili paraqet pretendime për komunitetin etnik të cilit i përket, ndërkohë që këtë akses është e gatshme t’ia japë një servili. Ndërkohë që minoriteti i të gjitha origjinave dhe përkatësive ndjehet i përfaqësuar në një parti të madhe, që ka vend për të gjithë, pavarësisht nga etnia, nga raca etj. Nuk e kuptoj çfarë lë mangët PBDNJ nga ky spektër, që të lindë e nevojshme të krijohet një parti “e pastër” etnikisht. Në këtë vështrim përpjekja për të sjellë një krijesë tjetër, është një lëvizje në boshllëk dhe pa motiv.

Bisedoi Thoma Nika

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›