E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja, rregullore te “hekurt” per Grupin Parlamentar ne Kuvend



Zbardhen disa prej pikave më të rëndësishme të rregullores së re në Partinë Socialiste. Sipas krijimit të rregullores së re, PS-ja kërkon të arrijë mirëfunksionimin e të gjitha rregullave të vendosura prej saj. Një ndryshim i rëndësishëm në rregullore është edhe mënyra e bërjes së oponencës ndaj projektligjeve apo çështjeve të ndryshme, që paraqiten për miratim në Kuvend. Sipas rregullores, shprehja e qëndrimit të grupit në seancat plenare për çdo projektligj do të bëhet nga kryetari apo nënkryetari i komisionit parlamentar përgjegjës dhe jo më vetëm nga kryetari i Grupit Parlamentar. Gjithashtu, për një projektligj të caktuar, kush voton kundër Grupit Parlamentar të socialistëve, do të përjashtohet. Megjithatë, për të mos kundërshtuar plotësisht, abstenimi do të jetë i tolerueshëm.
Kryesia
Në rregullore është parashikuar që të formohet Kryesia Grupit Parlamentar me pjesëmarrjen jo vetëm të kryetarit, nënkryetarëve dhe sekretarit, por edhe me atë të kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare, si dhe të nënkryetarit të Kuvendit. Me këtë formë të organizimit të Grupit Parlamentar socialist
synohet të rritet bashkëpunimi në drejtimin dhe vendimmarrjen e tij, para se çështjet të kalojnë për diskutim te të gjithë deputetët. Kryetari i Grupit Kuvendor tashmë është zgjedhur Gramoz Ruçi. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e zgjodhi përmes votimit të fshehtë me 55 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Mbledhja e Grupit nuk zgjodhi zëvendësit e Ruçit, por alternativat më të mundshme duket se janë dy figura të tjera me eksperiencë brenda selisë rozë, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe. Ndërsa sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade, mendohet të jetë nënkryetare e Parlamentit përballë dy nënkryetarëve të tjerë, Ardian Turku i PD-së dhe Nasip Naço i LSI-së.
Disiplina
Rregullorja e re e selisë rozë parashikon edhe një sërë masash për disiplinimin e të sjelljes së deputetëve lidhur me aktivitetet parlamentare. Tashmë, pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve parlamentare, seancat plenare do të bëhet e detyrueshme, veç rasteve kur deputeti, për arsye të justifikueshme, nuk është i mundur të jetë prezent. Gjithashtu, deputetët do të duhet të respektojnë vendimet e strukturave edhe në rastet e bojkotit. I njëjti rregull për pjesëmarrjen do të bëhet edhe për mbledhjet e Grupit Parlamentar. Në rastet e vendimeve politike, çdo deputet është i detyruar të zbatojë vendimmarrjen e strukturave. Për të gjitha shkeljet parashikohen masat disiplinore të parashikuara edhe në Statut.
Vlerësimi
Partia Socialiste ka zgjedhur një mënyrë për të vlerësuar deputetët e saj. Vlerësimi do të funksionojë në bazë të meritokracisë. Kështu, të gjithë deputetët socialistë do të vlerësohen sipas rolit që do të luajnë qoftë në jetën parlamentare, ashtu edhe në debatet politike. Puna e secilit prej të zgjedhurve të popullit do të bëhet në bazë të performancës së tyre, që do të jenë aktivizimet në debatet parlamentare, interpelancat e thirrura prej tyre, konferencat e shtypit, intervistat etj.

Qendra për Rehabilitimin kërkon mosdekretimin e ligjit për 20 shkurtin

Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe të Torturës, së bashku me Protagonistët e Dekoruar për ngjarjet e 20 shkurtit 1991, i kanë dërguar një peticion Presidentit të Republikës, Bamir Topi, ku i kërkojnë të mos dekretojë projektligjin “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Ata kanë kërkuar që Presidenti dhe Këshilli i Ministrave të shpallë 20 shkurtin si Ditën e Rrëzimit të Simboleve Komuniste dhe të nderimit të viktimave të regjimit komunist. Ndërsa versioni qeveritar është 20 shkurti “Dita e përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri”.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›