Ligori: Nuk ka asnjë kompromis me mazhorancën
“Falja” ka aktualizuar bashkëpunimin e munguar mes pozitës dhe opozitës. Të përfshira në një konflikt gati 1-vjeçar, brenda të cilit komunikimi parlamentar ka ngrirë thuajse plotësisht, dy partitë kryesore kanë hyrë në rrjedhën e debatit për projektligjin e ri “Për faljen”. Deputetja socialiste, Shega Ligori, anëtare e Komisionit parlamentar të Ligjeve, sqaron në intervistën për “Shqip” arsyet e kontributit të PS-së për këtë nismë, duke dhënë një qëndrim edhe për aspektet e debatuar të saj, sidomos sa i përket prekjes së kompetencave të Presidentit të Republikës.
Zj. Ligori, së fundmi PS është rikthyer në Parlament duke ofruar një bashkëpunim në komisionet e përhershme, çka vihet re te projektligji për faljen. Pse ky kontribut i PS-së në këtë drejtim, në një kohë kur për ligje organike është bërë e ditur se nuk do të jepet vota pa zgjidhjen e krizës?
Sikurse është bërë e ditur, nga çasti kur zgjidhjen e krizës së demokracisë përmes transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit e morën në dorë miqtë dhe partnerët europianë të Shqipërisë, PS-ja vendosi rikthimin në Kuvend si shenjë kuptimplote e vullnetit të qëndrueshëm për nxjerrjen e vendit nga kriza. Pjesëmarrja në Kuvend do të ishte e cunguar pa pjesëmarrjen në komisionet e tij. Në këtë këndvështrim, natyrisht, ne nuk marrim pjesë vetëm formalisht. Pjesëmarrja jonë nënkupton marrjen e përgjegjësive edhe në diskutimin e projektligjeve të sjella për miratim.
Ka rëndësi të theksohet se ligji për faljen është një ligj që mund të miratohet me një shumicë të thjeshtë, opozita nuk ka fuqi penguese, sikundër ndodh me ligjet organike. Mosdhënia e konsensusit për miratimin e ligjeve që votohen me 3/5 e numrit të deputetëve, përderisa shumica nuk po jep ende shenja të vullnetit të mirë për zgjidhjen e krizës së demokracisë, është një kusht i qartë dhe i arsyeshëm politik i PS-së. është thjesht një qëndrim politik që e vlerësoj si një qëndrim të drejtë dhe parimor. Ky qëndrim nuk ka arsye pse të pengojë pjesëmarrjen në diskutimin e projektligjeve të zakonshme, që mund të miratohen edhe pa kontributin tonë. Janë qëndrime të ndara qartë.
Ky qëndrim i PS-së është vlerësuar nga analistë të ndryshëm si një kompromis që indirekt godet Presidentin e Republikës, i cili gëzon kompetencën ekskluzive për këtë gjë. A përmban kjo nismë dispozita kufizuese apo disiplinuese për sa i përket faljes, duke e reduktuar kreun e shtetit në një firmosës të propozimeve të ministrit të Drejtësisë?
Më sipër e bëra të qartë se për kurrfarë kompromisi nuk mund të bëhet fjalë. Theksova që, për të miratuar ligjin e faljes, shumica nuk ka nevojë për pëlqimin tonë. Por, kjo nuk do të thotë se opozita nuk duhet të japë ndihmesën e saj që ligji të plotësojë standardet europiane dhe të mos shkaktojë pakushtetutshmëri. Për këtë qëllim ne propozuam që të dëgjoheshin, paraprakisht, grupet e ndryshme të interesit, të cilat sollën në komision propozime të vlefshme. Sipas projektit, kërkesa për falje duhet t’i drejtohet ministrit të Drejtësisë. Kjo është një nga pikat objekt debati. Si rregull i gjithëpranuar i së drejtës, kërkesa duhet t’i paraqitet organit që ka kompetenca vendimmarrëse. Ministri nuk ka kompetencë të falë të dënuarit me vendim penal të formës së prerë. Pastaj, në këtë mënyrë procesi mbetet i pakontrolluar nga institucioni tagërmbajtës, që është Presidenti, i cili kështu mbetet në padijeni të një procesi që ka të bëjë me një kompetencë kushtetuese që i takon atij dhe vetëm atij. Për këto arsye kemi kërkuar amendimin e kësaj dispozite. Grupi ynë propozon që kërkesa për falje duhet t’i drejtohet institucionit që e mban këtë pushtet, Presidentit të Republikës. Pas kësaj, procedura e administrimit të të dhënave dokumentare që do t’i vlejnë kryetarit të shtetit si bazë për të gjykuar, mund t’i lihet ministrit, i cili i kërkon ato nga institucione të tjera (institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, prokuroria, etj). E rëndësishme është që dosja i rikthehet Presidentit, e shoqëruar me propozimin e ministrit. është thelbësore që propozimi i ministrit, i cili duhet të jetë i arsyetuar, të mos ketë karakter pengues. Me fjalë të tjera, edhe në rast propozimi negativ, Presidenti mund të mos e marrë parasysh dhe ta dekretojë faljen e të dënuarit. Dhe për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, mendoj se me pranimin e këtij amendimi, pushteti i kryetarit të shtetit për ushtrimin e së drejtës së faljes nuk kufizohet. Kjo është shumë e rëndësishme.
Sa lidhet kjo nismë me aktet e fundit të faljes nga ana e Presidentit, ku pati zëra për "gabime" lidhur me emra të caktuar?
është një nismë e shumicës qeverisëse. Koha e ndërmarrjes të bën të besosh se qeveria ka ngelur e pakënaqur nga dekretet e fundit të Presidentit, që falte, në mos gaboj, 365 të dënuar. Duhet të jemi të kthjellët në gjykim: dekretet mund të shkaktojnë debate lidhur me qëllimet që synon të realizojë ky institut në një shoqëri demokratike, motivet që e kanë frymëzuar, kushtet vetjake të personave të falur etj., por duhet pranuar se Presidenti ka ushtruar një prerogativë kushtetuese, ndaj akti i tij është plotësisht i ligjshëm. Nëse kërkoni mendimin tim, jam qartësisht kundër faljeve en bloc, sepse mjeti më i përshtatshëm për këtë qëllim do të ishte amnistia, e shpallur me ligj nga Kuvendi. Por, Presidenti e ka një hapësirë interpretimi, është një e drejtë që i buron nga Kushtetuta, akte falje për një numër personash, sigurisht jo kaq të madh sa rasti i fundit, ka dekretuar edhe Presidenti Moisiu. E rëndësishme është që ligjshmëria formale nuk është cenuar.
Por, nisma mund të shihet edhe nga një tjetër pikëvështrim. Ligji i faljes daton më 1981. Mos të harrojmë që falja është një akt zemërgjerësie i kreut të shtetit, një akt njerëzor, ndaj sikur nuk shkon që, edhe në kohë demokracie, ky institut të zbatohet sipas ligjit të miratuar nga një regjim që ishte shembull i shkeljes së të drejtave njerëzore, i të drejtave të të dënuarve, në veçanti. Në këtë kuptim, një ligj i ri na duhet. Pikërisht, ky është thelbi i konsensusit të dhënë nga PS-ja për miratimin e ligjit në parim. Për aspekte të veçanta të projektit, ne kemi objeksionet tona, të cilat i kemi materializuar në disa amendamente përmirësuese.
Mund të sqaroni diçka rreth detyrimit për kundërfirmën e ministrit në dekretin e faljes? ç’do të thotë kjo në pikëpamje juridike dhe pse mendohet që dekreti të shoqërohet me siglimin e përfaqësuesit të qeverisë?
Ka shumë diskutime doktrinare në këtë fushë. Përgjithësisht pranohet se kundërfirma, në pikëpamje juridike, nënkupton që ministri (por, edhe Kryeministri) merr përgjegjësi politike për aktin e faljes të dekretuar nga Presidenti. Projektligji i paraqitur nuk normon ndonjë detyrim të tillë. Mundet të funksionojë, sidomos në sisteme gjysmëpresidenciale, ku kryetari i shtetit ka pushtete të gjera dhe të forta ekzekutive, si sistemi francez, bie fjala. Por, funksionon edhe në republikat parlamentare, si në Itali. Në projektin e paraqitur nuk kërkohet kundërfirma e ministrit propozues.
Ju kemi parë të debatoni në punimet e komisionit. Mendoni se diçka nuk funksionon te ky ligj?
Jemi në një proces që ende nuk është mbyllur. Jo vetëm unë, të gjithë anëtarët kanë debatuar me shumë përgjegjësi, mendoj. Sigurisht, përderisa ka një debat, mund të ketë norma që duhet të rishikohen dhe të riformulohen. Siç thashë më sipër, grupi i deputetëve të PS-së ka formuluar disa amendamente që synojnë përmirësimin e projektit. Përderisa jemi në një proces, gjykoj se ia vlen të diskutohen me shumë kujdes urdhërimet e projektit që kufizojnë të drejtën e Presidentit për faljen e personave që janë dënuar për kryerjen e disa krimeve të caktuara (sigurisht është fjala për një kategori krimesh të rënda). çështja mund të diskutohet nga disa këndvështrime: së pari, e drejta e faljes është e drejtë kushtetuese e Presidentit, ndaj a mund të kufizohet ajo me një ligj të zakonshëm? Ligji disiplinon procedurën e faljes, mendoj unë, nuk mund të kufizojë thelbin kushtetues të së drejtës. Së dyti, përmes faljes Presidenti mund të kryejë, me shumë përgjegjshmëri rolin e tij si përfaqësues i unitetit të kombit. Mund të krijohen situata kur drejtësia penale merr vendime që nuk pranohen si të drejta nga një pjesë e shoqërisë. Mund të ketë kundërshtime të forta nga një pjesë e saj, sidomos kur akuzat paragjykohen politikisht. Në demokracitë e reja kjo ndodh, ka ndodhur edhe te ne. Në raste të tilla, ndërhyn kreu i shtetit dhe rivendos ekuilibrin shoqëror të tronditur nga dënimi penal, duke shpëtuar nderin e pushtetit gjyqësor. Kujtoni rastin e Greqisë së viteve ‘70. Pjesëtarët e juntës së kolonelëve u dënuan për krime të rënda madje. Por, një pjesë e popullit nuk ishte dakord, i quante dënime politike. Me rivendosjen e demokracisë, Presidenti i fali kolonelët. Nuk ishte vetëm një akt human, ishte një veprim që synonte paqëtimin e kombit, i ndërmarrë nga simboli i unitetit të tij. Ndaj mendoj se këto urdhërime të ligjit ia vlen të diskutohen edhe në këndvështrimin që parashtruam.
Së dyti, vlen të diskutohet dobia e përfshirjes në proces të ministrit të Drejtësisë, edhe pse roli i tij, me amendamentet e propozuara, përqendrohet te disa procedura të natyrës administrative. Besoj se nuk ia vlen të lihen gjurmë politizimi në një procedurë që konsiderohet si vijim i individualizimit të dënimit në fazën e ekzekutimit. Mund të diskutohej mundësia që kjo procedurë t’i besohej një organi politikisht asnjanës, prokurorisë për shembull.
Po kështu ia vlen të debatohet edhe kuptimi i përfshirjes së personave juridikë në rrethin e subjekteve që mund të përfitojnë nga falja, sikundër parashikon projekti i paraqitur. Falja merr kuptim për shkak të natyrës së saj humane. Humanizmi si filozofi vë në qendër të tij njeriun, qenien, shpresat dhe aspiratat e tij. Duket sikur kjo përmasë e faljes denatyrohet në rast se pranohet që të falen edhe personat juridikë, firma prodhuese, tregtare etj.
Këto diskutime janë bërë si në grupin e deputetëve të PS-së, ashtu edhe në komision. Ne kemi propozuar amendamentet tona, jemi në një proces që ende nuk është përmbyllur. E rëndësishme është që të gjendet varianti më i mirë, të miratohet një ligj që t’i rezistojë kohës. Besoj se me kontributin e të dyja palëve kjo është e mundur të realizohet.
#