Vrasja e Binjakut, hakmarrje nga frika e hakmarrjes
Vrasje e tipit mafioz mund të konsiderohet ngjarja e natës së martë në qytetin e Elbasanit, ku u ekzekutua me katër plumba në kokë 39-vjeçari Sajmir Binjaku. Ngjarja dyshohet t’i ketë rrënjët në një vrasje të ndodhur tre vjet më parë në Breshia të Italisë. Ndërkohë, burimet zyrtare të policisë ende nuk kanë pista apo autorë të mundshëm të ngjarjes.
HetimetPolicia ka nisur hetimet rreth orës 23:00 të së hënës, duke kontrolluar disa banesa ku mund të dyshohej se ndodheshin personat e përfshirë në krim. Kontrolle të tjera ka pasur edhe gjatë ditës së djeshme dhe burime jozyrtare të policisë bëjnë me dije se janë marrë në pyetje apo shoqëruar rreth 10 persona. Zyrtarisht, policia e Elbasanit nuk ka dhënë asnjë detaj rreth pistave apo motiveve të mundshme. Ndërkohë, një burim konfidencial ka pohuar për “Shqip” se policia ka shoqëruar tre persona, banues në lagjen “Vullnetari”, për t’i marrë në pyetje, por nuk jepet asnjë hollësi për identitetin e tyre.
HistoriaHistoria e kësaj vrasjeje dyshohet se nis në vitin 2007, kur njëri prej vëllezërve të viktimës, Spiro Binjaku, është qëlluar për vdekje me thikë nga një bashkëqytetar i tij në Breshia të Italisë. Për këtë rast, një burim shumë i sigurt i policisë ka njoftuar se vëllai i viktimës së djeshme ka ardhur me kokë të prerë nga Italia. Ngjarja e asokohe u klasifikua nga policia italiane dhe shqiptare si vrasje për motive të dobëta, por pa dhënë detaje të tjera. Dy vjet më vonë, policia e Elbasanit ka ndaluar vëllain e viktimës, Arben Binjaku, si person i dyshuar për përgatitjen e një aksioni hakmarrës ndaj vrasësve të vëllait të tij në Itali, ndërsa u kap në përgatitjen e një atentati me eksploziv (tritol të llojit C4), jo shumë larg vendit të ngjarjes së të martës. Në atë kohë, Petraq Binjaku, i ati i viktimës, ka deklaruar se familja e tij dhe djali i ndaluar nga policia, nuk kishin ndërmend të kryenin asnjë lloj hakmarrjeje për vrasjen e të birit në Breshia të Italisë. Ndërkohë, i ati dhe daja i viktimës, Vladimir Nikolla, kanë pohuar se fëmijët apo nipërit e tyre nuk kishin pasur qëllime hakmarrjeje ndaj djalit të vrarë në Breshia. Sipas tyre, ngjarja do jetë kryer nga të njëjtët persona që kryen vrasjen me thikë në Breshia të djalit tjetër të familjes Binjaku, duke pasur frikën e hakmarrjes së tyre. Sidoqoftë, policia ende nuk ka konkluduar rreth motiveve të ngjarjes apo personave të mundshëm të përfshirë në këtë vrasje.
#