Lika: “Futboll total per fitoren”

"Shanset para ndeshjes për kualifikim mund të jenë të përafërta, por mendoj se më e rëndësishme është ajo cka ne do të japim në fushë dhe le t'ia lëmë asaj të flasë". Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, edhe pse me veshjen zyrtare të Partizanit (një bluzë e kuqe me stemë) shfaq një ftohtësi diplomatike për të "respektuar" edhe homologun e tij te Shiroki Brijeg, Ivan Katalinic në konferencën për shtyp. "Shpresojmë të bëjmë më të mirën dhe të dalim më sukses". Partizani në ndeshjen e parë e realizoi një gjysmë të tillë (0-0), cka i jep edhe shansin për të kaluar për herë të katërt një tur të një aktiviteti ndërkombëtar të organizuar nga UEFA. Partizani, në fakt, realizoi një gol në Bosnjë, por që u anulua nga gjyqtari. Por a sheh superior Lika Partizanin në krahasim me kundërshtarin? "Unë mendoj se ndeshja në Bosnjë me këtë në Tiranë ndryshojnë. Është një rezultat që na jep një farë të drejte, por ne kërkojmë më shumë, pasi është vetëm një rezultat i arritur në ndeshjen e parë, kur tashmë ne kërkojmë kualifikimin, duke e fituar ndeshjen, kështu që takimi është edhe më i vështirë". Trajneri i Partizanit, Hasan Lika dha këtë intervistë për "Albania-sport.com" pas konferences per shtyp.
* * *
Zoti Lika, Partizani ka shansin të kualifikohet për herë të katërt në turin e dytë të një kompeticioni evropian. Sa e përgatitur është skuadra për të eliminuar Shirokin?
- Rezultati i ndeshjes së parë është pozitiv. Me shpresë për të shkuar më tej, na duhet patjetër ta fitojmë ndeshjen. Përballë kemi një skuadër të fortë. Shpresoj të zhvillojmë një ndeshje të mirë, pasi vetëm kështu mund ta mposhtim kundërshtarin.
Pas 90 minutave të parë, tashmë e njihni kundërshtarin. Cfarë "kurthi" ka përgatitur Lika?
- Sigurisht, që të dy skuadrat e njohin tani lojën e njëra-tjetrës. Gjithsesi, nuk mendoj se është momenti për të thënë se kush është ekipi më i fortë. Nëse ne do të shprehim atë futboll dhe vazhdimësinë e ndeshjeve të mira, unë jam i sigurt se ne do ta kalojmë turin.
A ka ndërtuar Lika ndonjë strategji të vecantë për këtë takim, ku nuk duhet të pësoni gol të parët.
- Jo. Ne do të luajmë me atë mënyrë loje, që kemi shprehur gjithmonë dhe na ka dhënë suksesin, si në kampionatin shqiptar dhe në ndeshjen e parë të Kupës UEFA.
Loja do të ketë më shumë theks sulmues?
- Natyrisht që skuadra do të jetë më e orientuar drejt sulmit, por gjithmonë duke qenë e kujdesshme, pasi është një rezultat 0-0. Ne nuk do të luajmë me një apo dy sulmues të deklaruar, ne kemi mënyrën tonë të luajturit, ashtu si në përgjithësi luhet edhe sot futbolli. Është një pyetje që bëhet gjithmonë, por unë jam i mendimit se kur kemi topin skuadra sulmon, dhe kur e kanë kundërshtarët mbrohemi.
Është ky një stil holandez apo...?
- Është stil i kohës. Gjithmonë punojmë me ato mundësi që kemi, duke përmirësuar lojën skuadrës për të gjetur ekuilibrin e duhur në fushën e lojës, duke futur elementët më të përparuar të futbollit të sotëm. Por, gjithcka mbetet për t'u realizuar në fushën e lojës.
Trajneri i Shirokit, Ivan Katalinic, tha se skuadra e tij mund ta kalojë Partizanin...
- Edhe unë mund të them se skuadra ime mund ta eliminojë atë. Dhe shanset më të shumta janë për ne. Katalinic e di mirë këtë dhe e tha në konferencën për shtyp.