Daliç: Më duhen lojtarë shqiptarë

Ndërsa gazetarët, natyrshëm, e pyesnin për lojtarët e rinj që kishte sjellë me vete, trajneri i Dinamos, Zllatko Dalic, e ktheu shënjestrën në një drejtim tjetër. "Kam sjellë dy lojtarë që do të jenë të Dinamos, - tha ai, - Ramadani dhe Petricevic, ndërsa një tjetër ende nuk është pjesë e jona. Do të përpiqemi të sjellin të tjerë, ndonëse do të jetë e vështirë sepse kampionati në Kroaci tashmë ka filluar, por unë do të mbështetem më shumë tek lojtarët që do të gjej këtu".
Natyrisht për skuadrën e rreshtuar në sallën e konferencave të klubit këto ishin fjalë të bukura. Dalic, madje, premtoi se do të investonte më shumë tek lojtarët e rinj të klubit, të dalë nga ekipet zinxhir. "Di se keni lojtarë të talentuar si Ferraj apo Daja, - tha ai, - ata do të jenë e ardhmja e Dinamos". Kroati ka si plan t'i rrisë ata lojtarë dhe t'i bëjë të vlefshëm për klubin, edhe nga ana financiare.
Si? "Ata mund t'i sjellin të ardhura klubit", - sqaroi Dalici, duke nënkuptuar se kërkon të sjellë tek Dinamo modelin kroat, ku klubet jetojnë nga transferimi i lojtarëve në klube më të mëdhenj apo jashtë vendit. Sic njoftohet, puna e parë e trajnerit ishte bllokimi i transferimeve të kapitenit Pisha tek Tirana dhe Caushajt tek Flamurtari. Madje me Caushajn bisedoi menjëherë sapo vuri këmbën në selinë e klubit, pa dhënë ende konferencën e shtypit.
Firmë me klauzolë
Trajneri mjaft i ri, vetëm 39-vjecar, shpreson që të arrijë suksese më të mëdha se deri tani, në karrierën e tij të shkurtër. Sidoqoftë, ai pohon për mediat kroate se kontrata 2-vjecare me Dinamon ka një klauzolë që e lejon të largohet nëse do të ketë një ofertë më të mirë.
Petricevic: Jam shumë i habitur nga Tirana
Sulmuesi më i ri i ardhur tek Dinamo, Frane Petricevic, mbeti i habitur të dielën në darkë dhe të hënën gjatë ditës, me kryeqytetin shqiptar, Tiranë. "Më ka habitur qyteti, - tha ai për gazetën, - nuk e prisja që të ishte kaq i bukur". Djaloshi 29-vjecar nuk është se vjen nga "Momli", sepse ka jetuar në Zagreb apo edhe qytete të tjerë të Kroacisë, por edhe ai shpreh të njëjtën tendencë të vizitorëve nga ish-Jugosllavia kur përplasen me realitetin shqiptar. Duke pasur paragjykimin se kryeqyteti i Shqipërisë nuk mund të jetë qytet si të tjerët, habia është e madhe kur e ndeshin.
Bledar Kuka