E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika Ne Vlore per rezultat

Ndeshja që do të luhet në Vlorë, ndërmjet Flamurtarit dhe Teutës është supersfida e javës e 15-të e Superligës. Durrsakët do të kërkojnë të rikthehen te fitorja, pas disfatës në shtëpi me Tiranën, një tjetër rivale direkte, ndërsa në anën tjetër, Flamurtari kërkon tri pikët për t’iu afruar kreut dhe të rikthehet në garën për titull. Duke vlerësuar të gjithë këto elementë, trajneri Hasan Lika premton se përballja në Vlorë do të jetë mjaft interesante.
Fakti që nuk fitojnë në dy sfidat e fundit në kampionat, i detyron “djemtë e detit” të kërkojnë maksimumin, pavarësisht se luajnë në shtëpinë e Flamurtarit. Në fakt, Lika shfaqet kategorik, kur nënvijëzon se skuadra e tij hyn në fushë gjithmonë për fitore.
Një humbje me Flamurtarin, e kombinuar me fitoren e Tiranës përballë Kastriotit, do të bënte që Teuta të humbiste kryesimin për herë të parë në këtë sezon. Ndërkohë, vlonjatët kërkojnë triumfin, për t’u ngjitur në kuotën e 28 pikëve dhe shkurtuar në 4 diferencën me durrsakët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›