Thaçi: “Prishtina, pushtet të plotë pas 15 qershorit”
Kosova është plotësisht e angazhuar në përgatitjet që pas 15 qershorit të hyjë në fuqi Kushtetuta. Kështu ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e rregullt të kabinetit qeveritar. Sipas tij, këto përgatitje po zhvillohen në koordinim të plotë me faktorët civilë dhe ushtarakë ndërkombëtarë në Kosovë dhe Qeveria e re gjatë ditëve të ardhshme do të procedojë në Kuvend edhe 6 deri në 8 projektligje që dalin nga pakoja e Ahtisarit. “Jemi duke vazhduar implementimin intensiv të dokumentit të Ahtisarit dhe këto ditë do të procedojmë me miratimin e projektligjeve që dalin nga kjo pako. Po i afrohemi 15 qershorit kur do të futet në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kushtetuta e shtetit të Kosovës dhe natyrisht do të vazhdohet me funksionimin normal dhe efikas të institucioneve të shtetit të Kosovës në gjithë territorin”,-u shpreh Thaçi në mbledhjen e qeverisë. Kryeministri Thaçi po ashtu vlerësoi situatën e qetë të kësaj jave, nën kontrollin e autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Një javë e mbarë ka qenë për Kosovën edhe në lidhje me njohjen e vendit nga shtetet e ndryshme. Në këtë drejtim u vlerësuan edhe vizitat dhe takimet që ka zhvilluar këto ditë ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni me ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve të Amerikës Latine. “Në të njëjtën kohë ka vazhduar lobimi për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe në të njëjtën kohë kemi punuar aktivisht që procesi i njohjes dhe i angazhimeve për implementimin e kritereve për t’u ofruar Kosova sa më shpejt që është e mundur në NATO dhe BE janë duke vazhduar nga institucionet e Kosovës”,-u shpreh kryeministri Thaçi, duke shtuar se procesi i lobimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Besoj se gjërat do të shkojnë në drejtim të përshpejtimit të njohjes së pavarësisë”,-shtoi ai. Qeveria kosovare gjatë mbledhjes shqyrtoi edhe një nismë e cila u vlerësua shumë e rëndësishme për njohjen e stazhit të arsimtarëve gjatë periudhës së okupimit 1990 - 1999. Kabineti qeveritar u shpreh se më tepër se kompensim financiar, një vendim i tillë do të ishte një kompensim moral për gjithë angazhimin e tyre në atë periudhë shumë delikate. Ndërkaq, për përgatitjet për konferencën e donatorëve, kryeministri Thaçi tha se të gjitha institucionet dhe mekanizmat përkatës të inkorporuar në këtë proces janë në fazën intensive. “Duhet të besoj se do të jemi të përgatitur mirë dhe së shpejti do të kemi një prezantim para mekanizmave përkatës ndërkombëtarë për të prezantuar përgatitjet tona serioze dhe do t’i marrim rekomandimet shtesë, vërejtjet dhe sugjerimet në mënyrë që të jemi të kompletuar dhe të kemi përgatitjet që presin donatorët dhe meritojnë qytetarët”,-u shpreh Thaçi.
Intensifikohen bisedimet për qeverinë serbe
Grupet partiake në Serbi kanë përshpejtuar bisedimet për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në të cilat as proeuropianët e presidentit Tadiç dhe as blloku nacionalist i kryeministrit Koshtunica dhe Nikoliçit nuk kanë shumicën parlamentare për formimin e qeverisë. Në qendër të vëmendjes është vënë Partia Socialiste e Serbisë e drejtuar nga Ivica Daçiç e cila do të përcaktojë se kujt do ti jepet mundësia për krijimin e qeverisë. Daçiç ende nuk po deklarohet se cilit bllok do t’i bashkohet duke rritur çmimin e koalicioneve. Presidenti serb Tadiç, i cili drejton koalicionin “Për Serbinë europiane”, i filloi bisedimet joformale me disa parti që angazhohen për qeverinë e qëndrueshme dhe ekonomikisht të përparuar që do ta çojë vendin në BE dhe do të ruajë tërësinë tokësore e sovranitetin, që do të thotë Kosovën në kuadrin e Serbisë, ka paralajmëruar zyra e tij për informim. Duke reaguar ndaj bisedimeve që po zhvillon blloku nacionalist Koshtunica- Nikoliç për formimin e qeverisë së re, presidenti Tadiç ka deklaruar se me të gjitha mjetet legjitime dhe demokratike do ta mbrojë vullnetin zgjedhor të qytetarëve që i duhet të rezultojë me formimin e një qeverie të qëndrueshme të Serbisë. Ndërkaq, pas arritjes së marrëveshjes mbi objektivat programore të qeverisë, ndërmjet demokratëve të Koshtunicës dhe radikalëve të Nikoliçit, Koshtunica ka biseduar edhe me përfaqësuesit e koalicionit të tubuar rreth partisë Socialiste të Serbisë. Pas takimit kryesocialisti, Ivica Daçiç ka thënë se nuk ka asgjë kontestuese në katër parimet që i propozon Koshtunica për formimin e qeverisë, por ka shtuar se në to duhet të përfshihet edhe e drejta sociale dhe ka shtuar se bisedimet do të vazhdojnë duke mos dashur të japë hollësi të tjera.
16 Maj 2008