E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, OSBE-ODIHR, raport për zgjedhjet pas 1 qershorit



Misioni vëzhgues OSBE-ODIHR do të japë qëndrimin për procesin elektoral për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni në një raport përfundimtar pas 1 qershorit. Shefi i misionit vëzhgues OSBE-ODIHR Robert Beri pas takimit me kreun e shtetit maqedonas Branko Cërvenkovski nuk dha asnjë koment lidhur me incidentet e fundit që ndodhën në fushatën zgjedhore. “Misioni ynë nuk komenton ngjarje të pjesshme por pas mbarimit të zgjedhjeve do të japë një vlerësim të plotë për procesin zgjedhor. Shpresoj se zgjedhjet do të kalojnë në një atmosferë të qetë dhe pa incidente”,-tha Beri. Ai shtoi se përfaqësuesit e ODIHR-it po qëndrojnë pandërprerë në terren për të ndjekur situatën. Shefi i misionit vëzhgues bëri të ditur edhe takimet e shumta me përfaqësuesit e partive të ndryshme politike. Misioni vëzhgues OSBE-ODIHR në përbërjen e tij ka dhjetëra ekspertë ndërkombëtarë, 20 afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër.

Rusia, Kina dhe India pajtohen për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë

Rusia, India dhe Kina kanë shprehur impenjimin e tyre për ripërtëritjen e bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës për statusin e Kosovës. Ky lajm u bë i ditur nga shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov pas takimit joformal që zhvilloi me homologët e tij të këtyre shteteve në qytetin rus Yekaterinburg. “Ne jemi prononcuar për çështjen e Kosovës. Konsiderojmë se ajo duhet të zgjidhet në bazë të së drejtës ndërkombëtare”,-është shprehur Lavrov në konferencën për media, pas takimit të zhvilluar. Ai ka shtuar se gjatë takimit është fiksuar një pozicion i përbashkët se, “shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovë është në kundërshtim të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Lavrov, gjatë bisedës është angazhuar për ripërtëritjen e bisedimeve për statusin e Kosovës, ndërsa mediat ruse kanë vlerësuar se ai ka arritur të marrë pajtimin e homologut të tij kinez dhe atij indian për këtë synim të tij.

Dhjetë milionë të prekur nga tërmeti në Kinë

Skuadrat e shpëtimit në Tajvan kanë dërguar dy avionë me ndihma materiale dhe vullnetare në pjesën jugperëndimore të Kinës, për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti. Kjo është ndihma e parë direkte për shpërndarjen e ndihmës ndaj të dëmtuarve. Fluturimet direkte mes Kinës dhe Tajvanit kanë qenë të ndaluara pas luftës civile në 1949; dhe aktualisht ka vetëm fluturime të kufizuara vetëm gjatë periudhës së pushimeve. Tajvani reagoi shumë shpejt me ndihmë ndaj rajonit jugperëndimor të Kinës, që u godit rëndë nga tërmeti. Por dekada të tëra rivaliteti, shtruan nevojën e bisedimeve delikate përpara dërgimit të ndihmës me avionë. Rreth 150 ton mallra përfshirë batanije dhe dyshekë portativë u dërguan me dy fluturimet e para në Sichuan, të dhuruara nga grupe bamirësie dhe fetare taivaneze, përfshirë edhe Kryqin e kuq dhe fondacionin Tzu Chi. Këshilli për çështjet e Tajvanit ka premtuar 26 milionë dollarë si dhe ushqime duke premtuar edhe një shumë më të madhe nëpërmjet donacioneve publike.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›