E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj: Koha kur akuzohem, isha në Shqipëri

PRISHTINE-“Të gjithë e dinë se unë jam i pafajshëm, dhe sa kam qenë në Shqipëri për kohën kur po akuzohem. Këtë e di Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, dhe le të vijnë të gjithë të dëshmojnë, edhe Hashim Thaçi”, ka thënë Limaj dje në seancën e nisur kundër tij.

Seanca e nisur dje për konfirmimin e akuzës ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë ish-ushtarëve të UÇK-së për rastin Kleçka do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
Në përfundim të një dite të gjatë, deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj ka thënë se ai është i pafajshëm dhe akuzat janë ta pabaza.
Limaj është deputet i Kuvendit të Kosovës, Gjyqi përfshin atë dhe nëntë ish-luftëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndaj tyre është lexuar aktakuza për “krimet e kryera ndaj civilëve dhe të burgosurve të luftës”, të cilën ata e kanë mohuar.
Gjatë seancës, Fatmir Limaj ka shprehur gatishmërinë e tij që në çdo kohë dhe në çdo moment të përballet me drejtësinë e vendit, duke thënë se i beson sistemit dhe gjyqtarit, por jo edhe individëve, të cilët mundohen që të bëjnë dezinformata për të dhe familjen e tij.
Limaj kërkoi që të lirohen shokët e tij dhe të ballafaqohet Prokuroria vetëm me të.
Të akuzuarit janë: Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhemdin Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Shaban Shala, Bislim Shurdhaj, Naser Shala dhe Sabit Shala.

Në ditët në vijim pritet që të konfirmohet apo të anulohet aktakuza ndaj “rastit Kleçka”.
Deputeti Fatmir Limaj apo komandant Çeliku, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, ndërsa tani pritet që të gjykohet për krime që, sipas prokurorive ndërkombëtarë janë kryer në fshatin Kleçkë.

Gjatë gjithë seancës Limaj dukej i buzëqeshur dhe i relaksuar.

Në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës ai paraqitet në seancën e konfirmimit të aktakuzës “për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës”, të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Seanca kundër ish-komandantit të UÇK-së, “Çelikut”, është caktuar nga një gjyqtar i EULEX-it për 24, 25 dhe 26 gusht.
Gjatë këtyre seancave, mbrojtja pritet të kërkojë nga gjyqtari që të mos e konfirmojë akuzën, ndërsa prokurori Maorizio Salustro do të kërkojë që të konfirmohet ajo. Nëse kjo aktakuzë konfirmohet, gjykimi kundër 10 ish-pjesëtarëve të UÇK-së do të fillojë në vjeshtë, dhe pritet të zgjasë më shumë se dy vjet.
Seanca për konfirmimin e aktakuzës është caktuar të mbahet një muaj pasi që prokurori italian e ka ngritur aktakuzën. Çeliku, i cili ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, tani pritet të gjykohet për krime që, sipas Prokurorisë, janë kryer në Kleçkë. Bashkë me Limajn në gjykatë pritet të paraqiten edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Sabit Shala, Refi Mazfreku, Arben Krasniqi, Shaban Shala, Behlul Limaj dhe Besim Shurdhajt.

Nëse kjo aktakuzë merr “vizën” për gjykim, gjatë gjykimit Limaj pritet që për dëshmitarë t’i ftojë të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Fatmir Limaj akuzohet për dhënie të urdhrit dhe pjesëmarrje në torturimin mizor të civilëve shqiptarë e serbë, të paraburgosur në Kleçkë.
Imuniteti i deputetit nuk ndalon që ta thërrasë Limajn në Gjykatë për seancën e konfirmimit të aktakuzës e as për gjykimin e tij, por e mbron nga arrestimi.
Në shtator, ndërkaq, pritet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës t’i sqarojë dilemat rreth imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›