Limaj arrest shtëpiak, Grupi i Llapit mbrohet në liri

Fatmir Limaj dhe pjesëtarët e grupit të quajtur si ‘grupi i Llapit’, kanë të njëjtën bazë të aktakuzës, për krime lufte, por i pari mbahet në arrest shtëpiak kurse ndaj të dytëve po vazhdon rigjykimi derisa ata po mbrohen në liri.
Avokati i deputetit Fatmir Limaj, Tomë Gashi thotë se me ligjet në Kosovë rastet penale nuk mund të krahasohen.
“Precedenti apo krahasimi i çështjeve penale në Kosovë nuk është burim i të drejtës/ nuk është ligj i aplikueshëm”, tha ai për Indeksonline.
Limaj nga paraburgimi ka kaluar në arrest shtëpiak.
Limaj dhe Rrustem Mustafa kundër të cilëve po zhvillohen procese të ndryshme gjyqësore, për krime lufte janë të dy ish nënkryetarë të Partisë Demokratike të Kosovës deri në zgjedhjet e fundit që ka pasur kjo parti.
Përderisa Limaj llogaritet si kundërshtar i kryetarit të kësaj partie, njëherësh Kryeministrit Thaçi, Mustafa nuk njihet për këtë raport. Latif Gashi, Rrustem Mustafa dhe Nazif Mehmet, vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme duke u mbrojtur në liri.
Grupi i Llapit po rigjykohet për herën e tretë pas nisjes së këtij gjykimi më 25 mars të këtij viti.
Deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si "rasti Kleçka"./Indeksonline./