Limaj me shokë lirohet nga arresti shtëpiak

Gjykata e Apelit sot ka vendosur qe ta heqë masën e arrestit shtëpiak për deputetin Fatmir Limaj dhe ish-bashkëluftëtarët e tij në rastin “Kleçka”.
Burimet e Indeksonline thonë se nga ky moment Limaj është i lirë, por i njëjti duhet të paraqitet nderkohë në stacionin më të afërt policor.
Lirimin e deputetit Limaj e ka konfirmuar për Indeksonline edhe avokati i tij mbrojtës, Tomë Gashi.
“Po është e vërtetë që është liruar, por njëherë nuk mund të flas më shumë”, ka thënë ai.
Në rastin “Kleçka”, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, akuzohen për krime të luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës.
Deri me tani të gjithë dëshmitarët që kanë dëshmuar në rastin “Kleçka” kanë qenë në mbrojtje të luftëtarëve.
Lajmin përmes një komunikate për media e ka konfirmuar edhe Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX.
“Sot, një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe gjyqtarëve kosovarë vendosi që t’i lirojë nga arresti shtëpiak të gjithë dhjetë të pandehurit për rastin Kleçka. Mirëpo, prej tash e deri në përfundimin e gjykimit kryesor, të pandehurit janë të obliguar që për çdo ditë të paraqiten në stacionin policor. Pasaportat e tyre mbeten të konfiskuara dhe ata nuk mund të largohen nga Kosova”, thuhet në njoftimin për media të EULEX-it.
Trupi gjykues vendosi që ta zëvendësojë masën e arrestit shtëpiak me masën e lajmërimit në stacionin policor për shkakun se në vendimet e mëhershme të Gjykatës së Apelit është thënë se masa e arrestit shtëpiak ishte kryesisht e nevojshme për ta shmangur rrezikun e ndikimit tek dëshmitarët. Dëshmitari i fundit i prokurorisë ka dëshmuar gjatë seancës gjyqësore kryesore më 5 qershor 2013.
Seancat gjyqësore kryesore për këtë rast do të vazhdojnë më 3 korrik 2013, me ç’ rast të pandehurit do të fillojnë me paraqitjen e rasteve të tyre. Kodi i Procedurës Penale i Kosovës parashikon që gjatë zbatimit të masës së kufizimit për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale, gjykata duhet të sigurojë që të mos e zbatojë ndonjë masë më të ashpër, nëse do të mjaftonte masa më e butë. Të gjitha palët kanë të drejtën e apelit ndaj vendimit të gjykatës. /Valdrin Krasniqi / Indeksonline/