S’bëjmë opozitë për inati të Thaçit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eqrem Kryeziu, ka thënë se LDK-ja nuk është duke bërë opozitë për inati të kryeministrit Thaçi dhe të pozitës, por për interesa të shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë se LDK-ja nuk është kundër procesit të dialogut me Serbinë e as kundër ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend.
“Kërkojmë llogari, transparencë për ato çka po ndodhin, përndryshe nuk jemi kundër as dialogut e as integrimit. Nëse sqarimet janë të kënaqshme, ne nuk jemi çmend të themi jo për inati. Për inati ne nuk bëjmë opozitë, por bëjmë për interes të Kosovës. Pra, jo për inat të kryeministrit Thaçi, apo të pozitës”, është shprehur Kryeziu, duke shtuar se sot (e enjte) Grupi Parlamentar i LDK-së do të dalë me qëndrim zyrtar nëse do të votojë pro apo kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeziu ka thënë se pret reflektim pozitiv të kësaj marrëveshje jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. “Për këtë gjë po bëhet krejt kjo zhurmë. Pra, e gjithë kjo po bëhet për të pasur reflektime pozitive, jo vetëm për Kosovën, por për rajonin në përgjithësi, sepse në qoftë se dy popuj mbeten të armiqësuar, nuk mund të themi se ka paqe në rajon. Natyrisht se për të pasur reflektime pozitive po shpenzohet gjithë kjo energji”, ka deklaruar Kryeziu, duke shtuar se nuk është optimist edhe për zbatimin e kësaj marrëveshje në praktikë. “Këtu kam rezerva, por kjo që do të ndodhë më vonë, mbetet të shihet. Nuk jam shumë optimist për shkak të obstruksionit të vazhdueshëm që bën politika e Beogradit kundër Kosovës. Mirëpo të shohim se çfarë do të ndodhë e, për fat të mirë, nuk jemi vetëm në këtë proces, por jemi edhe me BE-në dhe ShBA-të”, ka thënë Kryeziu, shkruan Epoka e re.
Ai ka vlerësuar se LDK-ja është përgatitur për zgjedhjet lokale dhe synon “pushtimin” e shumicës së komunave të Kosovës. “Shpresojmë se do t’i ‘pushtojmë’ edhe komunat e tjera, jo veç këto që i kemi tani. Për shembull, Prizreni është një dardhë e pjekur që pret të bie në duart tona! Kjo do të ndodhë në qoftë se ka një proces të mirëfilltë zgjedhor. Në të kundërtën, nëse ka hajni, atëherë është e kotë që mbahet procesi zgjedhor”, ka theksuar Kryeziu. Ai ka thënë se lideri i LDK-së, Isa Mustafa, është figura më e përshtatshme për kryeministër të ardhshëm./Indeksonline/