E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lin Delija vjen me Rrugëtime paralele në Muzeun Kombëtar

Piktori që njihet për ngjyrat e ndriçuara, për personazhet e veçanta, që ka pushtuar shumë galeri në mbarë botën erdhi dhe në vendin tij të lindjes. Ekspozita Rrugëtime paralele e Lin Delisë u çel dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Pas çeljes së ekspozitës

u zhvillua tryeza e rrumbullakët "Lin Delija: Rrugëtime paralele", por dhe u bë promovimi i katalogut të pikturave. Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës miq të artistit, kritikë arti, personalitete të artit dhe kulturës e më gjerë. Kuratorët pohojnë se në ekspozitë rindërtohet krijimtaria e gjerë e Delisë, e lidhur ngushtë me ngjarjet politike të tokës së tij amtare, po edhe me jetën në të gjitha shfaqjet e saj shprehur në copëza nga Ungjilli, peizazhe, portrete dhe nature morte. Hapja e saj u bë e mundur nga Shoqata Kulturore Lin Delija që kryesohet nga miku dhe koleksionisti i apasionuar i tij Armando Nicoletti. Ndër dhurimet që Armando Nicoletti u ka bërë shqiptarëve nga vepra e bashkatdhetarit të tyre të shquar përmendim edhe Portretin e Gjergj Fishtës (1979), dhuruar Katedrales Our Lady of Albanians në Detroit, SHBA, dhe tablonë e mirënjohur Portret vajze, e pikturuar gjatë vitit 1968, dhuruar Presidentit të Republikës së Shqipërisë më 2009, sot pjesë e fondit të ekspozuar në Presidencën shqiptare.


Jeta e piktorit
Lin Delija(3 shkurt 1926) është një nga emrat e mëdhenj të pikturës shqiptare, lindur në Shkodër e nxënës i Fishtës. Familja e tij internohet që në vitet e para të ardhjes në pushtet të komunistëve dhe në 1948 ai arratiset në Jugosllavi. Nga Titogradi zhvendoset në Hercegovinë ku ushtron pikturën dhe kryen studimet. Studime të mëtejshme vijon në Akademinë e Arteve të Bukura të Zagrebit e atë të Romës. Ndër punimet e pikturuara dhe të ekspozuara në galeri të ndryshme të kësaj periudhe spikasin: Burri me këmishë të bardhë, Autoportret, Kryqëzimi, Martiri i Shën Sebastianit, Peizazh, Studio e piktorit, Mater Dolorosa. Në vitet 60 jep pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences e 20 vjet më pas themelon Akademinë Carlo Cesi në Antrodoco. Fytyra e Krishtit sot bën pjesë në Koleksionin e Artit Modern të Vatikanit, Shën Mërinë e Popullit, pjesë e Koleksionit të Artit e Spiritualitetit në Muezun Pali VI dhe Maria në Golgota, që ruhet sot në Muzeun Lin Delija-Carlo Cesi në Atrodoko. Lin Delija rivjen në Shqipëri më 1992, ku shumë shpejt i vihet punës për të realizuar tablotë e mëdha për Katedralen e Shkodrës, disa prej të cilave mbetën të papërfunduara. Në pranverën e vitit 1994 ai goditet nga një iktus dhe ndërron jetë më 9 prill, në Romë.

Nënë Tereza në 100-vjetorin e lindjes, në TKOB
Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit sot zhvillohet konferenca përkujtimore: Nënë Tereza në 100-vjetorin e lindjes. Konferenca që do të startojë në orën 10.00 do të vijojë me shumë aktivitete të tjera deri në orën 13.00. Në nderim të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, ikonës unikale të humanizmit dhe të paqes në botë, përgjatë vitit do të organizohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera, të cilat do të bëjnë të njohur origjinën e saj shqiptare dhe dashurinë e veçantë që Nënë Tereza kishte për shqiptarët. Të gjitha aktivitetet e planifikuara kanë si synim nderimin dhe respektin për Nënë Terezën. Ato kanë vetëm një synim: njohjen e origjinës së saj shqiptare dhe dashurinë e veçantë që ajo ushqente për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Programi i aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës ka nisur para disa kohësh me një koncert, që u zhvillua në sallën e Akademisë së Arteve nga Kori "Nënë Tereza" dhe Orkestra e Harqeve. Që kur Nënë Tereza ndërroi jetë në vitin 1997, në çdo përvjetor të lindjes apo të ditës kur ajo iku, qindra njerëz grumbullohen në varrin e saj, duke u lutur. Murgeshat e urdhërit "Misionaret e Bamirësisë", që ajo themeloi 59 vjet të shkuara në Kalkuta, çdo vit vendosin lule para memorialit prej çimentoje të bardhë.

Mijëra vizitorë, në Gjirokastër
Qyteti i gurtë i Gjirokastrës i njohur për vlerat e tij kulturore këto ditë ka pritur shumë vizitorë. Kanë qenë rreth 5 mijë persona, që kanë vizituar kalanë e Gjirokastrës gjatë ditëve të fundit, duke shënuar në këtë mënyrë një rekord. Të nxitur jo vetëm nga vlerat  e kulturës por dhe nga çelja e ekspozitës me 40 shpikjet e gjeniut italian Leonardo da Vinci, në kuadër të eventit italo-shqiptar "Dy popuj, një det, një miqësi", vizitorët nuk kanë munguar gjatë këtyre ditëve, ndërkohë që në vijim pritet dhe një rritje e numrit të tyre. Vizitorët nuk kanë qenë vetëm të huaj, por dhe nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët kanë vërshuar në kalanë e Gjirokastrës. Rritja e ndjeshme e numrit të vizitorëve tregon se aktivitetet, që janë të lidhura me kulturën dhe historinë janë të preferuara prej vizitorëve vendas, apo të huaj, ndërkohë që edhe pse në kalanë e Gjirokastrës. Gjatë vitit të kaluar, qyteti i Gjirokastrës priti rreth 20 mijë turistë, ndërkohë që parashikimet tregojnë se gjatë këtij viti ky numër do të jetë më i lartë. Gjirokastra është qytet në Shqipërinë jugore dhe shtrihet në shpatin e Malit të Gjerë. Nga faqja e këtij mali ajo zbret deri në buzën e lumit Drino, i cili krijon një luginë shumë të bukur ne anën lindore të saj. Pa dyshim që Gjirokastra është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë për vlerat e saj arkitektonike dhe historike. Qyteti dominohet nga një kështjelle e mrekullueshme, dëshmitare e kohërave të ndryshme.

Last Updated on E Enjte, 03 Qershor 2010 20:01

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›