Linda Halimi në lidhje me Olsin e BB?!
Dështon festa e 22-vjetorit, nuk i vijnë kolegët
Të enjten në mbrëmje, ashtu si edhe ka dalë në modë së fundmi, këngëtarët kanë filluar të festojnë me të madhe ditëlindjet e tyre, qoftë edhe kur ato nuk janë përvjetorë. Syreshi i fundit ishte këngëtarja nga Kosova, fituese e “Top Fest 6” dhe me një zë të veçantë, Linda Halimi. 22-vjetori i saj u celebrua në një festë, në një prej lokaleve të zonës së ish-bllokut. Edhe pse festa ishte planifikuar të niste në orën 22:00 të mbrëmjes, vetë Linda erdhi me vonesë dhe të ftuarit “u detyruan” të prisnin të zonjën e sebepit. Por kjo nuk ishte asnjë gjë, para zhgënjimit që pësoi gjatë ditëlindjes këngëtarja Halimi. Pikërisht, mungesa e të ftuarve! Këngëtarja e re, (e cila u përjashtua nga edicioni i fundit i Festivalit “Kënga Magjike”) kishte ftuar mjaft artistë në ditëlindje. Por të paktë ishin emrat e atyre që mbërritën në festë. Kështu, përveç Rozana Radit, vëllezërve korçarë, Endri dhe Stefi, Eugent Buçpapajt, Ronela Hajatit dhe sigurisht “miqve të ri”, të dalë nga edicioni i fundit i “Big Brother”, nuk mbërriti asnjë këngëtar. E Linda i kishte ftuar të gjithë në fakt, nga Kosova e Shqipëria. Të ftuarit e munguar ishin Ramize Osmani, Gili, Genta Ismajli, Blero, Hekuran Krasniqi, Flori Mumajesi, Elvana Gjata, Ingrid Gjoni, Çiljeta Xhilaga, Juliana Pasha… e mjaft të tjerë, të cilët sigurisht për arsye të forta, nuk mundën të ishin në ditëlindjen e 22-vjeçares…
Edhe pse festës nuk i mungoi ritmi, muzika ‘live’, apo edhe interpretimi i Lindës, vetë këngëtarja nuk e priste këtë bojkot të kolegëve të saj… Por nga një anë, Linda ka marrë edhe një mësim, që ditëlindja bëhet me shoqërinë dhe miqtë e vërtetë dhe jo me kolegë që i bashkon vetëm skena!
Lidhja me Olsin e BB
Asnjë gjë nuk është e konfirmuar nga dy të rinjtë, por ama në rrethin e tyre shoqëror, së fundmi komentohet fakti se këngëtarja Linda Halimi është lidhur me Olsin, pjesëmarrësin e edicionit të parë të ‘Big Brother’. Në fakt, duhet thënë se gjatë gjithë mbrëmjes Olsi ishte tepër i shqetësuar që ditëlindja e Lindës të shkonte sa më mirë të ishte e mundur. Jo rastësisht, kjo festë u bë edhe në lokalin ku Olsi punon si menaxher. Gjatë mbrëmjes, Olsi shihej shumë shpesh pranë Lindës, megjithëse nuk pamë ndonjë puthje mes të dyve. Gjithsesi, ata me kënaqësi kanë pozuar në këtë foto, ndërsa Linda duket më se e lumtur. Pak kohë më parë, gojët e liga e përfshinë Linda Halimin në një lidhje me reperin me ngjyrë, Big D, lidhje të cilën këngëtarja e mohoi. Ndërsa nga ana e tij, Olsi që prej ndarjes nga Najada (me të cilën u lidh gjatë reality-show-t), nuk ka krijuar ndonjë marrëdhënie të njohur me ndonjë vajzë. Dihet që Olsi tashmë është edhe pjesë e spektaklit “Dancing with the Stars”, që ishte parashikuar të niste këtë të enjte, por që është shtyrë për herë të dytë afati i fillimit. Se si do të shfaqet Olsi si balerin, ngelet për t’u parë. Përsa i përket jetës personale dhe lidhjes me Lindën, deri tani do të kënaqemi me këto foto, derisa vetë ata të pohojnë nëse ka vërtetë një histori dashurie mes tyre apo jo!