E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e Tan Leprit në polici: Si i shpëtova atentatit

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 26-03-2011 11:50

Tiranë Dritan Avllaj ka lënë ambientet e spitalit Ushtarak, vetëm pak orë pasi i nxorën plumbin nga shpatulla. Në ambientet e këtij spitali të thonë se Avllaj është larguar rreth orës 06:00 të mëngjesit, i sigurt se plaga e marrë gjatë atentatit të tretë kundër tij nuk i rrezikonte jetën. Menjëherë pa largimit të tij nga spitali, i njohuri si Tan Lepri është larguar për në banesën e tij, ku vetëm disa orë më pas është “vizituar” nga punonjësit e policisë, të cilët kanë marrë deklarimet e tij në lidhje me ngjarjen e dy netëve më parë, kur ky i fundit ishte objektiv i një atentati. Burime konfidenciale nga policia e Tiranës bëjnë të ditur se gjatë marrjes në pyetje Avllaj ka shpjeguar momentet e atentatit të ndodhur pranë Tregut Elektrik në Tiranë. Ai ka përshkruar me hollësi momentin e ngjarjes, por nuk ka dhënë asnjë informacion që mund të çonte në identifikimin e autorëve. “Sapo kisha përfunduar një darkë dhe po largohesha që aty. Në momentin që po bëhesha gati të hipja në makinë, kam dëgjuar zhurmën e një motori dhe kam kthyer kokën, ku kam parë dy persona me skafandra në kokë, të cilët po vinin në drejtim të makinës. Nuk i kam kushtuar rëndësi, pasi as që më shkoi mendja se kishin gjë me mua. Sapo hipa në makinë, dëgjova të shtëna që po vinin në drejtim të makinës sime dhe në këtë moment shoferi manovroi në kohë, duke evituar dy personat, të cilët, pasi qëlluan disa herë, u larguan me shpejtësi me motor” - mësohet të ketë deklaruar Dritan Avllaj përpara grupit hetimor.

Ndër të tjera, hetuesit e kanë pyetur Avllajn në lidhje me dyshimet që ai mund të ketë në lidhje me këtë ngjarje, ose mbi autorët e mundshëm, por në këtë rast ai nuk ka dhënë asnjë detaj të rëndësishëm, duke u shprehur në të gjitha rastet se nuk kishte asnjë dijeni se kush mund të kishin qenë autorët apo motivet pas kësaj ngjarjeje. Ai ka shtuar se nuk ka pasur konflikte kohët e fundit dhe se e kishte të pamundur të etiketonte persona të cilët mund të fshiheshin pas atentatit të tij. “Nuk e di se kush mund ta ketë bërë këtë gjë, pasi nuk kam konflikte me njeri. Nuk i kam parë dy personat që ishin me motor dhe nuk di se për çfarë arsyesh mund të më kenë qëlluar” – ka deklaruar Avllaj përpara ekspertëve hetimorë, duke mos dhënë në këtë mënyrë asnjë informacion të dobishëm për grupin hetimor të ngritur për këtë ngjarje. Nga ana tjetër, Policia e Tiranës, me anë të një njoftimi për shtyp bën të ditur se për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor, të cilët aktualisht po merren me procedurat e marrjes në pyetje e veprimeve të tjera hetimore, me synim zbardhen e motiveve, identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vrasjeje të mbetur në tentativë.

06:00 E mëngjesit, Dritan Avllaj është larguar nga mjediset e Spitalit Ushtarak drejt shtëpisë së tij, ku edhe është marrë në pyetje nga punonjësit e policisë, të cilët po hetojnë atentatin kundër tij

20 Persona janë shoqëruar nga Policia e Tiranës, për të dëshmuar mbi atentatin me 9 plumba pistolete ndaj Dritan Avllajt. Një pjesë e tyre ishin dëshmitarë okularë, por ende s’ka të dhëna për autorët

Ekspertiza, Avllaj u plagos me plumba 9 mm

Grupi hetimor për zbardhjen e atentatit të Tan Leprit ka dalë në konkluzionin se arma e atentatit ka qenë një pistoletë 9 mm. Rezultati ka ardhur pas ekspertizës së gëzhojave, të cilat ishin gjetur në vendngjarje, pak minuta pas atentatit. Dy net më parë Dritan Avllaj, i njohur ndryshe si “Tan Lepri”, ishte objektivi i një atentati nga dy persona me motor. Ngjarja në fjalë ndodhi rreth orës 22:15 të së enjtes, në afërsi të “Tregut Elektrik” në Tiranë, kur ky i fundit ishte duke udhëtuar me automjetin e tij tip Benz me targa gjermane EL 412 S. Dy persona me skafandra në kokë dhe me motor zbrazën karikatorin e pistoletës, duke qëlluar 9 herë mbi makinën e tij, por ai i shpëtoi atentatit me 1 plumb në shpatull. Policia ka ushtruar kontrolle të shumta në rrugën “Mihal Grameno”, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, autorët e kësaj ngjarjeje mbetën të paidentifikuar.

Atentati, policia shoqëron

20 dëshmitarë okularë

Grupi hetimor ka shoqëruar dëshmitarë okularë dhe persona që ndodheshin pranë vendit ku u plagos Dritan Avllaj. Asnjë e dhënë për autorët e krimit

Tiranë Menjëherë pas plagosjes së Dritan Avllajt, forca të shumta mbërritën në vendngjarje, ku nisën mbledhjen e të gjitha provave që mund të çonin në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e skemës së atentatit. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se autorët e kanë ndjekur për një kohë të gjatë Dritan Avllajn mbrëmjen e së enjtes dhe në momentin kur ky i fundit ka qenë duke u larguar me automjetin e tij kanë qëlluar me pistoletë. Dy personat, të cilët mësohet se kanë qenë të maskuar me skafandra, janë afruar me motor dhe kanë qëlluar 9 herë në xhamin e pasmë të automjetit, i cili për fat ka qenë i blinduar dhe vetëm njëra prej predhave ka arritur të depërtojë brenda dhe të plagosë në shpatull Dritan Avllajn. Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit mësohet se në ambientet e policisë janë shoqëruar mbi 20 persona, të cilët mësohet se kanë qenë dëshmitarë okuluarë të ngjarjes. Ata janë pyetur për disa orë nga ekspertët e policisë në lidhje me atë çfarë kishin parë dhe dëgjuar në momentin e ngjarjes, por referuar të njëjtave burime mësohet se asnjë prej personave të shoqëruar nuk ka dhënë detaje që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Kjo edhe për faktin se autorët kanë përfituar nga errësira për t’u larguar nëpër rrugica të zonës, pa u vënë re. Nga ana tjetër, janë ngritur një sërë pistash hetimi, por deri më tani ende nuk ka asnjë version zyrtar mbi krimin. Hetimet më të shumta janë bazuar në lidhjet që ky atentat mund të ketë me dy atentatet e mëparshme që i janë bërë “Tan Leprit”, më konkretisht ai i vitit 2001, ku mbeti i plagosur në këmbë në afërsi të Piramidës dhe ai i tre viteve më parë në lokalin e tij, përballë Prokurorisë së Përgjithshme, ku vetëm pak minuta pasi ishte larguar kreu i PS-së, Edi Rama ndodhi një shpërthim në ambientet e këtij lokali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›