E Shtunë, 31 Tetor 2026

Linda rrëmben trofeun e "Top Fest 6"

Një spektakël madhështor, një atmosferë ekzaltuese, një festë e vërtetë e muzikës moderne shqiptare ka kurorëzuar edicionin e gjashtë të "Top Fest". Linda, me këngën "Ëndërroj", ka rrëmbyer trofeun e çmimit të parë, ndërsa 16 artistë të tjerë janë vlerësuar për çmimet përkatëse. Nata finale ka përmbyllur maratonën disajavore të prezantimit dhe transmetimit të këngëve në "Top Channel". Dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë artistë nga mbarë trevat shqiptare konkurruan në edicionin e sivjetshëm të festivalit të vetëm të muzikës moderne shqiptare. Pas një përzgjedhjeje, 63 artistë shkuan në natën finale. Këngëtarë të rinj, grupe të reja që kanë zgjedhur "Top Fest" për promovimin e tyre, por edhe këngëtarë tashmë të njohur nga publiku, si Gili, Eliza Hoxha, Ingrid Gjoni, Jehona Sopi, Nora Istrefi, Big Mama, Xuxi, Kthjellu etj., janë ngjitur në performanca elektrizuese në skenë. Për herë të parë ky spektakël ka zgjedhur një skenë të pazakontë për aktivitete të tilla. Stadiumi "Asllan Rusi", falë punës së grupit organizues, ishte shndërruar në një arenë të vërtetë artistike, duke i kaluar të gjitha hamendësimet e mëparshme. Një skenë e denjë për t‘u krahasuar me ato të evenimenteve më të mëdha botërore të muzikës. Kujdesit për të sjellë një festival të përmasave të mëdha i është shtuar për herë të parë regjistrimi dhe transmetimi në high definition. Albana Osmani dhe Ledion Liço, për orë të tëra kanë drejtuar spektaklin, i menduar me plot surpriza. Mes tyre, edhe të ftuarit për të ndarë çmimet. Mbi votat e publikut, por edhe të një jurie profesioniste, çmimin e parë për grupin më të mirë, të fituar nga Energy Band, e ka dhënë grupi i "Big Brother" (Aida, Juna, Lirita dhe Bika), të bërë rishtas personazhe publikë nga një tjetër emision i madh televiziv i "Top Channel". Arbana Osmani, Evis Pupa, peshëngritësi Erkand Qerimaj, fituesi i edicionit të parë të "Big Brother", Arbër Çepani, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi etj., kanë qenë disa nga protagonistët e ceremonisë së ndarjes së çmimeve. Spektaklit të madh i ka paraprirë më parë edhe një konferencë e veçantë shtypi. Mesditën e djeshme, këngëtarëve u janë ndarë trofetë e kandidimeve për çmimet përkatëse: best alternative, best group, best new artist, best song, best interpret, best female, best male, best dance, best r&b, best hip-hop, best pop & rock. Por gara më e madhe ka qenë ajo për çmimin e festivalit prej 10 mijë eurosh. Në një transmetim të drejtpërdrejtë në "Top news", artistët e përzgjedhur si finalistë kanë ndarë emocionet me publikun. Të rinjtë e shohin këtë festival si të vetmen portë nga ku mund të hidhen në një skenë muzikore, ku mund të tentojnë rrymat e tendencat e reja në koherencë me zhvillimet botërore të muzikës, ndërsa për të tjerë, këngëtarë të njohur që konkurrojnë për herë të parë në "Top Fest", ishte një eksperiencë që nuk duhej humbur. Edhe më parë, drejtuesi artistik i festivalit, Bojken Lako, ka theksuar se ky eveniment është kthyer tashmë në një arenë të eksperimentimit muzikor, një skenë që u jep mundësi këngëtarëve dhe publikut të prekin nga afër rrymat bashkëkohore dhe moderne. Shtrirja gjeografike e "Top Fest" rritet nga edicioni në edicion, duke e kthyer në një aktivitet artistik të veçantë dhe të vetmin në llojin e tij.

Fituesit e kategorive

1-Best female Jehona Sopi

2- Best male Blero

3-Best hip-hop F- Kay feat Blero

4-Best rnb Dafi (Dafina Zeqiri)

5-Best dance Eliza Hoxha

6-Best pop-rock Rezarta Smaja

7- Best grup Energy Band

8-Best alternative Linda në botën e çudirave

9-Best new artist Dajana Simoni

10- Best interpret Kastro Zizo

11-Best song Xuxi Feat Cronki

12- Best video Troja

13- Çmimi i "Top Albania Radio" Ingrid Gjoni

14-Çmimi "Digitalb" Big Mama

15- Çmimi i internetit Gili dhe Ernis Potoku

16-Çmimi "Vodafone" Eugent Bushpepa



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›