televizioni ARD: Skela, “Torfabrik”

"Torfabrik" (fabrikë golash). Kështu përcaktohet Ervin Skela nga televizioni gjerman ARD, në prag të ndeshjes Shalke 04-Energi Kotbus (luhet sot në orën 20:00). Fantazisti shqiptar 31-vjecar ka realizuar katër gola në tri ndeshjet e fundit të fituara prej skuadrës së tij, duke qenë njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i ekipit të tij, me 7 gola.
Trajneri slloven Bojan Prasnkikar beson sërish te magjia e shqiptarit me numër 11, të shndërruar në një hero lokal në qytetin e ish-Gjermanisë Lindore. Në takimin e fazës së parë, Energi fitoi 1-0 me Shalken, në të cilin Skela luajti për 83 minuta.
Shalke, që do të drejtohet në këtë sfidë, jo më nga Slomka, por nga dyshja Mike Buskens dhe Juri Mulder, lufton për një vend në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm, teksa "qymyrxhjinjtë" u eliminuan në cerekfinalet e këtij sezoni nga Barcelona.