Esat Ademi, në bordin ekzekutiv të Federatës Europiane të Peshëngritjes

"Është një vlerësim jo vetëm për mua si individ, por për të gjithë peshëngritjen shqiptare", tha Esat Ademi në linjë telefonike për "Albania-sport" nga Italia.
Me 27 vota nga 44 delegatë që votuan nga federatat e peshëngritjes europiane, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, është zgjedhur anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Europiane të Peshëngritjes. Përvec futbollit, është hera e parë që Shqipëria ka një përfaqësues në instancat drejtuese në rangun europian.
Kongresi Zgjedhor u zhvillua në Venecia të Italisë, ku u votua si për presidentin e Federatës Europiane të Peshëngritjes, ashtu edhe për Sekretarin e Përgjithshëm e gjashtë anëtarët e Bordit Ekzekutiv.
Në garë për 6 vendet e Bordit Ekzekutiv ishin 38 kandidatë, midis të cilëve i propuzuar nga 18 federata europiane ishte edhe zoti Esat Ademi, njëherësh edhe president i Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes, ku aderojnë 23 shtete përfshirë edhe Shqipërinë. Ademi morri 27 vota, duke qenë i katërti më i mirë i votuar. Presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes u zhgjidh presidenti i Federatës Italiane të Peshëngritjes, Antonio Urso. Sekretar i përgjithshëm, Marino Erkolani Kasadei (San Marino), një mik i njohur i shtangës shqiptare.
Skuadrat tona në Kampionatin Europian
Meshkuj: Erkand Qerimaj, Gerti Trasha, Taulant Cerepi, Endri Karina, Dainel Godelli, Briken Calja, Elvis Tabaku, Merian Bregu,
Femra: Romela Begaj, Shqiponja Guhacaj, Sherjana Ruci, Natmira Voci, Blerina Rusi, Maria Veli, Manjola Karaj.