Lindita Kodra, test në Bavari para Olimpiadës

Qitësja shqiptare dhe kampionia e Europës Lindita Kodra do të marrë pjesë në një tjetër Kupë të Botës të Qitjes që do të zhvillohet nga 15-22 maj në Mynih të Gjermanisë. Ky aktivitet është testi i dytë në prag të Lojërave Olimpike "Pekin 2008" pas Kinës. Sipas sekretarit të federatës së qitjes, gara e Bavarisë do të shërbejë më shumë si test për kampionen Kodra. "Lindita Kodra do të konkurojë në garën e qitjes me pistoletë sportive. Për ne nuk ka rëndësi kualifikimi pasi kjo Kupë Bote sic dihet zhvillohet në kuadrin e Lojërave Olimpike. Objektivi ynë është që Kodra të ruajë nivelin e vet, pra të arrijë sërish kuotën e 580 pikëve. Në ushtrimin që do të konkurojë qitësja jonë do të marrin pjesë afërsisht 60 sportiste. Si konkurim parashikohet të jetë i fortë dhe me shumë rivalitet pasi të gjithë pjesëmarrëset janë përpara Olimpiadës dhe kërkojnë të testojnë edhe veten se ku janë realisht", u shpreh për ‘Panorama Sport', sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Qitjes, Koco Mikerezi. 45-vjecarja Kodra do të shoqërohet në Mynih nga anëtari i kryesisë të Federatës dhe shefi i klubit "Studenti", Besim Rizvanolli si dhe nga trajnerja e saj Diana Mata. Në Kupën e Botës që u zhvillua së fundmi në Pekin, Kodra u rendit e katërta në botë midis 60 pjesëmarrëseve në garën e qitjes me zjarr në distancë 25 metra. Në fund të konkurrimit Lindita Kodra grumbulloi 782 pikë në total.
O.S (Panorama Sport)