E Diel, 1 Nëntor 2026

Lindita Milo: Gjyqet e humbura? Duhet kuptuar filozofia e konkurrencës

Znj. Milo Lati, a mund të na informoni se cila është situata aktuale në tërësi, në tregjet vendase lidhur me respektimin e rregullave që përcakton ligji për konkurrencën?

- Në fakt, konkurrenca është një fenomen që lidhet me ekonominë e tregut. Nëse do të flasim për pjesën e historisë së zhvillimit ekonomik dhe për mënyrën sesi funksionon ky fenomen në tregjet shqiptare, unë do të thoja se vetë kultura dhe vetë back-ground ekonomik i zhvillimit të ekonomisë së tregut në Shqipëri, në njëfarë mënyre, karakterizon edhe specifikat e nivelit të konkurrencës në tregjet shqiptare. Kultura brenda bizneseve, ku rregullat e lojës në njëfarë mënyre nuk kanë qenë aq të barabarta e aq të drejtpërdrejta dhe ka pasur biznese që kanë gjetur favorizime, qoftë përmes doganave, apo edhe tatimeve. Kjo çon më tepër në dobësi, pra në mosvendosjen e një barazie me të tjerët dhe rrjedhimisht, lufta bëhet edhe më e ashpër. Ajo çfarë po ndodh gjithmonë e më tepër dhe që ne të gjithë jemi dëshmitarë, është ashpërsia e konkurrencës, është se sa më shumë vendosen rregullat e lojës, aq më evidente dhe më e fortë bëhet gara. Dhe sa më e fortë bëhet gara, aq më i madh do të jetë përfitimi nga ana e konsumatorëve. Sepse bizneset gjithmonë punojnë për konsumatorët, se aty realizohet produkti apo shërbimi i atyre. Rrjedhimisht, nëse ata nuk i absorbojnë këto volume të produkteve apo shërbimeve, bizneset nuk mund të realizojnë qarkullimin natyror të tyre. Në këtë këndvështrim, Autoriteti i Konkurrencës, luan rolin e tij jo vetëm për t’i mbrojtur tregjet nga fenomenet antikonkurruese, e për të luajtur kësisoj në mënyrë të barabartë e të lirë në treg mes lojtarëve, por nga ana tjetër, përdor edhe gjithë instrumentat e veta për të promovuar rregullat e konkurrencës. Kjo përmes vlerësimit të akteve ligjore dhe atyre normative që miratohen dhe rregullojnë tregjet nga institucionet e tjera, pra që ndihmojnë mirë-funksionimin e tregut. Kjo për siguruar përputhjen e plotë me filozofinë dhe ligjin e konkurrencës.

Cilat tregje vlerësohen më problematike lidhur me aplikimin e praktikave anti-konkurruese? Po tregjet që shfaqen me pozitë dominuese krahasuar me të tjerët?

- Tregjet më problematike, kuptohet, janë ato që kanë një kufizim natyror, që do të thotë se nuk mund të ketë shumë lojtarë, dhe për vetë natyrën e tyre ata gjenerojnë probleme për konkurrencën. Numri i pakët i lojtarëve, rrjedhimisht i bën ata të sigurt, e duke qenë të tillë, s’konkurrojnë me njëri-tjetrin. Kjo ka qenë një nga arsyet se pse Autoriteti, në bashkëpunim me entet rregullatore, i vëzhgon ngushtësisht këto tregje, dhe në të njëjtën kohë, ka ndërhyrë në to. Përmend këtu vendimet që janë marrë në vitin 2007 në lidhje me tregun e telekomunikacioneve, apo vendimet e shumta në lidhje me tregun e energjisë elektrike, apo me atë të gazit, e kryesisht në ato segmente të tregut të importit të tij, ku ka pasur marrëveshje koncesionare, ku vihet re një mungesë e operatorëve të shumtë në këto segmente. Pra, vetë strukturat e përqendruara të tregjeve, rrisin ndjeshëm mundësinë që të ketë ose abuzime për pozitën dominuese, ose bashkëpunimi të fshehtë mes firmave, përmes marrëveshjesh të kombinuara. Gjithsesi Autoriteti i Konkurrencës, i sheh të gjithë tregun në të njëjtën platformë, por vëmendja përqendrohet kryesisht tek ato tregje, ku numri i operatorëve është i kufizuar.

Po në lidhje me pozicionet monopol në tregje, a ka raste të mirëfillta? Apo ky koncept sa po vjen dhe venitet, pa patur vend për të tilla më në tregjet tona?

- Në fakt, monopoli është një strukturë tregu. Që do të thotë se në treg, për realizimin e një produkti apo shërbimi, ekziston një operator i vetëm. Dhe pozicioni monopol mund të gjenerohet nga vetë tregu, psh kur një firmë realizon një performancë ndaj një klienti, kur si rrjedhojë e kësaj performance që ai ka, ka një shtrirje absolute. Janë njëkohësisht edhe ato që quhen monopole natyrore. Që do të thotë se vetë burimet e kufizuara natyrore, sjellin në vetvete një numër shumë të kufizuar operatorësh. Por nëse do t’u referoheshim se cilat janë ato tregje ku monopolet shfaqen, evidencat pranë Autoritetit të Konkurrencës, tregojnë se po rritet gjithmonë e më tepër numri i operatorëve në treg. Përmendim psh, tregun e telekomunikacionit, kur në 2007 kishim vetëm 2 operatorë e tani kemi më shumë, apo në tregun e energjisë, në segmente të ndryshme të tij, po shtohen operatorët. Ne kemi titullin “furnizues të kualifikuar”, por edhe “klientë të kualifikuar”, që do të thotë se krijohet mundësia që të konkurrohet në segmentet që liberalizohen. Apo përdorimi i instrumentave të tjera që lejojnë mundësinë e kontrollit dhe e vëzhgimit të drejtpërdrejtë që firmat të cilat kanë pozitë dominuese, të mos abuzojnë me të në treg. E ky aspekt i fundit, pra, ai i pozitës dominuese, është një pikë e vlerësimit nga ana e AK-së. Vetë ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël, dhe si e tillë, kuptohet se është e prirur që numri i operatorëve të jetë i vogël, pra ka një numër të kufizuar të tyre në tregje, pra ai është i kushtëzuar nga vetë niveli i ekonomisë. Por ajo për të cilën ne jemi të interesuar gjatë hetimeve tona, është që të mos ketë barriera administrative, si ajo e licencimit psh, që kushtëzon hyrjen e operatorëve të rinj në treg. Por edhe për operatorët që dalin nga tregu, ligji i falimentimit psh, i cili është një instrument që e lehtëson konkurrencën. Pastaj pjesa tjetër që mbetet për t’u vëzhguar, është ajo që brenda operatorëve që funksionojnë, të vihet re nëse ka marrëveshje të ndaluara. Dhe prandaj, po të shohim rastet që ka konstatuar AK, janë jo vetëm për pozitën dominuese, por edhe për të tilla marrëveshje. Ne gjejmë raste edhe në sektorin e mallrave të konsumit, apo siç është rasti i importit të grurit apo të miellit, në rastet kartel, apo edhe në fushën e prokurimeve publike. Pra, nuk mund të ushqejmë idenë se monopoli është një fenomen i frikshëm. Ai nuk është i ndaluar as nga ligji i konkurrencës në Shqipëri e as nga legjislacioni europian. Ajo që ndalohet është abuzimi me pozitën dominuese ose me monopolin. Por nëse ai në vetvete, sjell uljen e çmimeve apo rritjen e cilësisë konsumatore, atëherë ky lloj monopoli kuptohet që është funksional dhe na sjell një të mirë. Pra ne duhet të sigurohemi që në tregje, ka liri hyrje dhe dalje. Dhe kjo sjell që tregjet të shkojnë në efiçencën e tyre.

ǒmund të na thoni lidhur me vendimet që merr Komisioni i Konkurrencës? A janë mbështetur ato nga sistemi gjyqësor? ǒmarrëdhënie keni me këtë të fundit?

- Vendimet që merr Komisioni i Konkurrencës, apelohen gjithmonë në gjykatë. Historiku i AK-së deri tani, ka qenë relativisht një historik suksesi, por me atë që po konstatojmë në disa vendime të fundit të gjyqësorit nuk mund të themi se kjo po vazhdon. Çështjet që kanë shkuar në gjykatë nga Autoriteti i Konkurrencës janë çështje që kanë një impakt publik dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhen me ruajtjen e lirisë së tregut. Dhe kjo është filozofi, e cila ne mendojmë në opinionin tonë institucional se duhet të përthithet edhe më mirë nga pushteti gjyqësor në gjykimet që lidhen me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Për këtë arsye, AK, në kuadrin e një projekti të financuar nga IPA 2008, është përfshirë në trajnimet e gjyqësorit, por kjo duhet të realizohet përmes një bashkëpunimi shumë të ngushtë. Duhet theksuar që vendimet e Komisionit të Konkurrencës nuk janë vendime të thjeshta administrative por prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë mirëqenien konsumatore. Dhe e mira publike në këtë rast, është në përmasat që përfshin gjithë nivelet e konsumatorëve. Kjo të paktën në çështjet që ne kemi patur deri tani. Për këtë arsye madhore AK duhet dhe ka menduar që të vendosë në listën e prioriteteve të saj të kërkojë një bashkëpunim real, për të përthithur filozofinë e konkurrencës dhe rëndësisë së saj për mirëfunksionimin e tregjeve. Ne nuk mund të themi se vendimet e KK-së janë absolutisht të drejta (edhe pse në konceptin tonë po). Gjithmonë është gjyqësori ai që e vendos. Por do të ishte mirë që vendimet e gjyqësorit të jenë të argumentuara qartë dhe të përfshijnë të gjitha pretendimet e AK si palë në proces, siç ndodh psh. me vendimet e gjykatës Europiane të Drejtësisë në fushën e konkurrencës. Në këtë mënyrë, vetë KK do të shohë se çfarë ka gabuar dhe ku ka gabuar në mënyrë që të përmirësojë punën e saj në të ardhmen. Pra, ne po humbasim çështjet në gjykatë, dhe faktikisht nuk po vëmë re se çfarë elementesh mund të rregullojmë brenda vendimeve të KK-së.

Çfarë sugjeroni në lidhje me zgjidhjen e një situate të tillë? ǒdo të kërkonit konkretisht nga sistemi i drejtësisë?

- Filozofia e konkurrencës si e tillë, mbart në vetvete idenë e të qenit si një nevojë dhe jo si një imponim. Dhe unë mendoj se te sistemi gjyqësor, ky element, duhet të përthithet dhe kjo është ajo që ne duhet të bashkëbisedojmë me ta. E pse jo, të rikthejmë në rast studimor një vendim gjykate, kundrejt KK-së e të realizojmë atë ballafaqim publik, pikërisht për të parë se çfarë ky institucion duhet të rregullojë në vendimet e veta. Për të treguar se mos vallë ne jemi arbitrarë?! Unë di të them, se të gjitha vendimet e KK-së, vlerësohen nga Komision Evropian. Autoriteti nuk vepron sipas kokës së vet, por në përputhje të plotë me praktikat më të mira të BE-së e në këtë këndvështrim, mendoj se është në interesin publik, që të kthehet në diskutim publik edhe në aspektin e reformës në drejtësi, aspekti i lirisë së tregut, si një nga shtyllat e ekonomisë shqiptare e përcaktuar madje edhe në Kushtetutë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›