Lindja e Mesme përfshihet nga moti i keq
Reshje të dendura shiu dhe erëra të forta kanë përfshirë pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme në fundjavë dhe për pasojë ka patur edhe viktima. Deti i trazuar ka provokuar përmbysjen e disa anijeve, ndërsa janë shkatërruar edhe shumë ndërtesa në Egjipt, raportojnë burimet qeveritare dhe mediatike.
Të paktën tre persona kanë humbur jetën në qytetin bregdetar të Aleksandrisë, në Egjipt, pasi erërat e forta dhe reshjet e dendura kanë provokuar shembjen e pjesshme të një godine 28 katëshe. Dëmtime kanë pësuar edhe disa pasagjerë të një anijeje të madhe në Aleksandri.
Edhe në Izrael moti duket se është tjetërsuar duke krijuar kaos në transportin detar dhe për këtë është kërkuar edhe ndihmë nga autoritetet pasi disa mjete lundruese rrezikonin të përmbyteshin. Në tokë , shpejtesia e erës ka arritur në 110 km në orë, në Gaza dhë në veri të Izraelit.
Shikueshmëri e pakët është regjistruar në lindje të Libanit për shkak të erërave të forta, raportojnë agjensitë rajonale të lajmeve. Po në Liban janë regjistruar edhe reshje të dendura dëbore. Problematike paraqitet situata edhe në disa zona në kufi me Sirinë, ku qarkullimi është i pamundur për një kategori të caktuar automjetesh.
Në Beirut situata eshte përkeqësuar gjithashtu për shkak të reshjeve të shiut që kanë nisur që nga dita e premte, ndërsa në zonat malore, ka patur reshje dëbore.