E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lindsi Lohan: “Dua të jem një yll”



“Njerëzit mendojnë se unë thjesht dua të bëhem e famshme. Por kjo nuk është ajo që dua vërtet. Unë dua të jem një yll kinemaje, vetëm se yjet shpesh nuk prezantohen ashtu siç janë vërtet”. Është pikërisht Lindsi Lohan ajo që rrëfehet për gazetën amerikane “Interview” pa fshehur asgjë në lidhje me dëshirat, ëndrrat dhe atë që përfaqëson vërtet. Aktorja merr përsipër të rrëfejë gjithçka, që nga raporti i vështirë me njerëzit dhe fotografët e deri te fillimet dhe ambiciet për të ardhmen. Nuk është aspak e lehtë të jesh në qendër të vëmendjes mediatike. Gjatë këtyre viteve, të gjitha gazetat kanë folur mjaft për Lindsi Lohan, sidomos për aventurat e shumta në të cilat është përfshirë aktorja e re. “Paparacët më ndjekin kudo dhe për mua është e pamundur t’u shmangem. Gjithmonë përpiqem të largohem dhe për këtë përfundoj nëpër gazeta. Njerëzit, tek më shohin çdo ditë, mendojnë se unë bëj gjithçka thjesht për të tërhequr vëmendjen”,- thotë Lindsi. “Dua të kem kohë për veten time, ku mund të bëj atë që dua të bëj”, - vazhdon aktorja dhe tregon një incident të ndodhur disa vite më parë: “E përplasa makinën me një pemë dhe një ditë më pas të gjitha gazetat kishin publikuar fotografitë e mia pas incidentit. Megjithatë, jo të gjithë e dinë se përplasja ndodhi sepse po përpiqesha t’i ikja nga sytë një paparaci që po më ndiqte në orët e vona të natës. Njerëzit janë më të interesuar të shohin anët negative të personave të njohur dhe asnjeri nuk është i interesuar të mendojë për gjerat e mira që përpiqem të bëj ose që në thelb jam një vajzë e mirë”, - shpërthen aktorja, që megjithatë rrëfen: “E kuptoj pse bota e spektaklit në fund të fundit është thjesht biznes. Të aktrosh është një ndjesi e mrekullueshme sepse të lejon të eksperimentosh shumë emocione njëkohësisht. Nëse realisht kam pasur një zënkë me të dashurin tim, mund të shkoj në xhirime dhe të gjithë do të mendojnë se sa i ndjerë ishte interpretimi im”.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›