Banorët e Bulgarecit përfitojnë pension vetëm nëpërmjet gjykatës
Të gjithë banorët e Komunës së Bulgarecit nuk mund të vërtetojnë vitet e punës pa kaluar në dyert e gjykatës. Arkiva e Komunës së Bulgarecit ku mbaheshin të depozituara borderotë me vitet e punës dhe vjetërsinë në ish-kooperativat bujqësore, u dogjën dhe shkatërruan plotësisht gjatë trazirave të vitit 1997. Kryetari i Komunës së Bulgarecit, Artur Lisi, thotë se ndërtesa e komunës u dogj plotësisht më 3 korrik të vitit 1997 dhe për pasojë u shkatërrua dokumentacioni që gjendej në ato momente në zyrat e kësaj komune. Janë të paktën 13 mijë persona që sipas kreut të komunës e kanë të vështirë të vërtetojnë vjetërsinë në punë për shkak të mungesës së arkivit ku mbaheshin të depozituara borderotë për secilin person. Kryetari i Komunës së Bulgarecit, Artur Lisi, sqaron se pasojat e ‘97-s banorët e zonës vazhdojnë t‘i vuajnë ende për faktin se për të vërtetuar vjetërsinë dhe vitet e punës në ish-kooperativat e Lumalasit dhe të Dishnicës duhet të marrin një vendim gjykate, në të kundërt nuk mund të përfitojnë pensionin. "Problemi kryesor që u shkaktua nga djegia e komunës në vitin ‘97 është ai i shkatërrimit përfundimtar të borderove. Në këto kushte, një shtetasi i duhet të vërtetojë vitet e punës në ish-kooperativa nëpërmjet gjykatës, ku duhet të paraqes një vërtetim negativë që lëshohet nga ana e komunës dhe që vërteton se nuk disponohen dokumente për personin në fjalë para këtij viti. I gjithë dokumentacioni që ne disponojmë është ai pas vitit ‘98 me ringritjen e mjediseve për funksionimin e komunës. Me vërtetimin negativ dhe me paraqitjen e dëshmitarëve pranë gjykatës një shtetas i interesuar mund të vërtetojë vitet e punës të cilat mungojnë", shprehet kryetari i Komunës së Bulgarecit.
Fatmirësisht ka shpëtuar nga shkatërrimi gjendja civile.
"Djegia e komunës nuk shkatërroi gjendjen civile dhe regjistrat për shkak se ato mbaheshin në një tjetër godinë. Në rast se kjo do të kishte ndodhur, do të kishte shumë probleme me vërtetimin e identitetit të personave", shprehet kreu i komunës. Numri i lartë i banorëve që duhet të marrin vërtetime negative ka ardhur edhe si rezultat i bashkimit të disa fshatrave në një komunë të vetme siç ishte edhe rasti i kësaj komune.
J.Dhimitri