Linja e trafikut, si u shitën armët në Vorë dhe në Berat
Trazhgim Sokolaj
Operacioni që shkatërroi organizatën kriminale të trafikut të armëve më shtirje Kosovë-Shqipëri zbulon shtrirjen e veprimtarisë kriminale edhe në Serbi e Turqi, por edhe një partneritet "biznesi" mes shtetasve të këtyre vendeve. Në këtë hetim që përfshin tre shtete deri më tani, bie në sy bashkëpunimi i shtetasve kosovarë me persona që kanë shtetësi serbe, të cilët besohet se kryenin furnitorin e grupit kriminal me pistoleta "Zastava" të prodhimit jugosllav. Disa armë të tilla u bllokuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë aksionit të koduar "Alberta", i cili arrestoi disa kosovarë që kishin sjellë ngarkesën me 15 armë e municione në Shqipëri, por edhe blerësit e këtij arsenali në Berat dhe në Tiranë. Arrestimi i pesë personave në Shqipëri është shoqëruar me dhjetëra kontrolle banesash të kryera në Kosovë në vendqëndrimet e personave të dyshuar si anëtarë të rrjetit të trafikut të armëve, ku janë sekuestruar 1 mijë euro të fituara nga shitja e armëve në Shqipëri, 150 fishekë dhe 500 gramë tritol. Sipas policisë së Kosovës ngarkesa e armëve ka lëvizur në drejtim të Shqipërisë në mënyrë të kontrolluar në mënyrë që veç trafikantëve të kapeshin edhe porositësit e pistoletave. Në një operacion të koordinuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, pas kapjes së pesë personave me 15 pistoleta në Shqipëri, policia e Kosovës bëri kontrolle shtëpish në lagjen e Kolovicës dhe atë të Vranjevcit në Prishtinë, në Bardhosh, në Podujevë dhe në Lipjan, ku janë kapur tetë persona të dyshuar. Adem Berisha dhe Ibush Hetemi janë kapur në Morinë kur po ktheheshin në Kosovë pasi kishin shitur armët në Shqipëri ndërsa Avni Berisha, Gani Mavriqi, Abdyrrahim Mavriqi, Rafet Llapashtica dhe Ibrahim Gashi, kanë rënë në pranga në disa qytete të Kosovës. Ata akuzohen se kanë furnizuar me armë blerësit e pistoletave në Shqipëri. Hetimet për këtë linjë trafiku kanë filluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda më 13 gusht 2008 në dosjen nr.71. Pas të dhënave për veprimtarinë e tyre kriminale Prokuroria ka autorizuar përgjimet e telefonave të tyre dhe kryerjen e filmimeve dhe fotografimeve të fshehta. "Nga hetimet ka rezultuar se më 20 shtator 2008, rreth orës 11.30' shtetasi kosovar Adem Berisha, është takuar në Fushë-Krujë me të dyshuarin Mustafa Gashi, banor i këtij qyteti. Të dy ata, me makinën tip "Benz", me targë 409 KS 204 kanë lëvizur për në Beratit. Në vendin e quajtur "Ura e Kuçit" ata janë takuar me të dyshuarin Edmond Kajo, të cilit i kanë shitur një sasi pistoletash. Pasi kanë mbaruar aty, Adem Berisha dhe Mustafa Gashi janë nisur në drejtim të Vorës, ndërsa policia ka ndaluar makinën e blerësit të pistoletave në Berat, duke arrestuar Edmond Kajon dhe Florenc Mezinin, të cilët po lëviznin me makinën tip "Benz" me targa të Beratit. Në makinën e Florenc Mezinit janë gjetur e sekuestruar një sasi prej 10 copë pistoletash të tipit "Minibllow", të cilat sapo ishin blerë nga Edmond Kajo tek Mustafa Gashi dhe Adem Berisha. Këta të fundit, në kthim nga Berati kanë arritur në Vorë, pranë karburantit ku janë takuar me Nertil Fejzullaun dhe Marjus Budën. Mes tyre është kryer shitblerja e një sasie prej 5 copë pistoletash dhe më pas katër personat janë ndarë nga njëri-tjetri", thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas tyre, në këtë kohë, policia është urdhëruar të arrestojë në flagrancë tek rrethrrotullimi i Vorës, Mustafa Gashin e Nertil Fejzullaun, të cilëve u janë kapur një sasi prej 5 copë pistoleta. Në ndjekje e sipër, pasi po tentonte t'i largohej policisë, është kapur pranë doganës edhe Marjus Buda, punonjës i një firme cigaresh, që lëvizte me furgonin e kësaj kompanie.
Linja e trafikut të pistoletave
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe policisë shqiptare, mësohet se pistoletat "Mini Blow" mbi 600 të tilla të bllokuara në Shqipëri gjatë viteve të fundit mbërrijnë në Kosovë nga Turqia. Ndërkaq marka tjetër e pistoletave, "Zastava" të bllokuara në sasi më të vogël në Shqipëri gjatë këtyre viteve, mbërrijnë në Kosovë nga Serbia e më pas trafikohen në drejtim të Shqipërisë, ku u shiten porositësve të tyre. Sipas të dhënave hetimore për shkak të cilësisë dhe forcës goditëse, pistoletat "Zastava" shiten me 300 euro copa kurse ato "Mini Blow" me 90 ose 100 euro copa.